22:21 / E Hënë, 11 Qershor 2018 / indeksADMonline

11 qershor 1999 – e pamundura bëhet e mundur!

Sot e 19 vite më parë, ne kemi qenë dëshmitarë të një momenti që për shumicën dukej i pamundshëm të ndodhte. Në fakt është e paimagjinueshme, deri në arrogancë, fuqia e një momenti për të përcaktuar fatin dhe historinë e një populli. Moment i cili e përmbysi një epokë të tërë të mbushur me vuajtje e mjerim, për ta ngritur mbi të një epokë të re, të mbushur me jetë e shpresë. Megjithatë, të gjithë e dimë se për të ardhur ky moment, që ndryshon epokën, është dashur të përpiqemi një epokë të tërë. Ky moment ka qenë vetëm kurorëzim i asaj pune kolosale. Është 11 qershori i vitit 1999. Është dita e çlirimit të kryeqytetit tonë të dashur.

Një herë në jetë përjetohen momente te tilla të rralla. Shumica e gjeneratave nuk e kanë këtë fat. Prandaj ne, përkundër vuajtjeve të mëdha, duhet të ndjehemi të privilegjuar e krenar që kemi qenë dëshmitarë të këtij momenti historik për qytetin dhe kombin tonë. Ka qenë moment i magjishëm të shohësh një aleancë të tillë me botën perëndimore, që nuk është parë kurrë në historinë e popullit tonë, duke e luftuar së bashku një të keqe që prej kohësh e kishte mbërthyer këtë vend. Ka qenë e paharrueshme pamja e flamujve kombëtar që valëviteshin të lirë në Prishtinë dhe e njerëzve që dilnin nga çdo kënd me buzëqeshjen, që për një kohë të gjatë kishte munguar në fytyrën e tyre. Ishte kohë e rilindjes.

Janë disa momente që lëshojnë rrënjë në kujtesën e njeriut dhe nuk lëvizin dot nga aty. I tillë ishte ai kur Guerilja e Prishtinës BIA, që ishte pasuese e njësitit të parë gueril të Prishtinës “Rexhep Mala”, rrëshqiti nga malet për t’u pozicionuar nëpër lagjet e kryeqytetit. Guerilja BIA, emri i së cilës ishte formuar me shkronjat e para të emrave të tre dëshmorëve Bahri Fazliu, Ilir Konushevci dhe Agron Rrahmani, kishte operuar gjatë gjithë luftës në qytet.

Ajo kishte kryer detyra nga më të ndryshmet, duke filluar nga ato ushtarake e deri te ato logjistike për ushtrinë dhe popullsinë civile, e cila ishte strehuar në malet e Gollakut, si pasojë zhvendosjes së dhunshme nga qyteti. Në fund, duke e konsideruar si të rrezikshme periudhën e tërheqjes së forcave të pushtuesit nga Prishtina, me pasojë të mundshme ndonjë masakër hakmarrëse ndaj banorëve që kishin mbetur ende në qytet, ky njësit kishte vendosur të ndërmerrte hapa radikal të sigurisë në këtë drejtim. Pas një studimi dhe plani ushtarak, qysh para hyrjes së forcave të NATO-s në Prishtinë, të gjithë guerilasit, gjatë natës, u futën dhe u pozicionuan nëpër rrugët e kryeqytetit që konsideroheshin si më të rrezikuara nga këto forca. Dhe ja arritën qëllimit. Të nesërmen ishte festë!

Të nderuar të pranishëm,

Siç po shihet, Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk është mit, siç pretendohet sot nga ato figura publike që në kohërat më të vështira për vendin, mbetën në margjinat e historisë më të re, që po krijohej nga vajzat dhe djemtë anonim të këtij vendi. Rrjedhimisht, as gjithë ata që u vranë në betejë, as gjithë ata që u masakruan, as gjithë ata që mbetën invalidë, as gjithë ata që u zhdukën, nuk janë figura mitike. Dhembja për humbjen e tyre edhe sot ndjehet deri në asht. Mit është rrëfimi që po përpiqet të ndërtohet sot mbi mohimet arrogante për atë periudhë e atë përpjekje. Dhe ndërtimi i miteve të tilla është i dëmshëm në raport me të kaluarën dhe shumë i rrezikshëm në raport me të tashmen e ardhmen e vendit. Mohimi i asaj që është bërë dje, është kopsht në të cilin rritet pema e dekurajimit të një kombi për të bërë diçka nesër. Unë e kuptoj të drejtën e secilit për të mos qenë i arsyeshëm, por edhe secili duhet ta kuptojë përgjegjësinë e fjalës së vet publike.

Prandaj ne, sot, nuk guxojmë ta mohojmë historinë e djeshme të një populli të tërë, për shkak të inateve, problemeve apo mospajtimeve personale të sotme. Ne duhet ta respektojmë atë histori dhe duhet t’i nderojmë ata dëshmorë dhe luftëtarë të lirisë, jo vetëm për shkak të së kaluarës së tyre por edhe për shkak të së ardhmes sonë. Sjellja jonë ndaj atyre që sakrifikuan dje, kur vendi ishte në nevojë e situatë të jashtëzakonshme, është mesazhi më i fuqishëm që ne ua dërgojmë atyre nesër, kur vendi mund të ndodhet përsëri në situatë të tillë, pra të jashtëzakonshme. Respekti e nderimi ynë për të djeshmen e lavdishme është motivim për gjeneratat e reja që të tillë ta bëjnë edhe të nesërmen. Të lavdishme.

Urrejtjen ndaj çlirimtarëve t’ua lëmë armiqve të lirisë, sepse ata, edhe ashtu dinë ta bëjnë më së miri!

Urime dita e çlirimit Prishtinë!

Lavdi dëshmorëve të Prishtinës dhe të gjithë dëshmorëve të kombit!

I pafund respekti për familjet e tyre!

Shkruan: Agim Kuleta