75 Mall Live Search
09:21 / E Martë, 12 Maj 2026 / P M

“Lockdown culture” i politikës kosovare

Shkruan: Blerim Shala

Nocioni i “Lockdown culture” pati marrë dhenë (dhe Botën) po thuaj me të njëjtën shpejtësi me të cilën virusi COVID-19 na pati mbërthyer të gjithë neve në vitet 2020/ 2021.

Kjo kultura e mbylljes së detyrueshme, të cilën me siguri ende e kujtojmë  (apo edhe e rikujtojmë pas këtyre rrëfimeve të fundit për rrezikun nga një tjetër virus), shfaqi atë anën më të mirë të njeriut që nuk dorëzohet, si qytetar, si autor, si krijues, para një të keqeje të tillë të përmasave të papara për dhjetëra vite.

Sa libri është bërë në atë kohë. Sa kënga dhe sa albumi muzikor. Sa piktura dhe vepra pamore.

Kjo gjithsesi paraqet atë anën e mirë (të vetme), të asaj periudhe shumë të rëndë për njerëzimin.

Çuditërisht dhe paradoksalisht (edhe pse nuk dimë më a ka diçka që mund të na çuditë dhe çka meriton të klasifikohet si paradoksale), edhe ndër ne, që prej dimrit të vitit të kaluar, ka nisur të shfaqet një “Lockdown culture”.

Do ta shohim së shpejti se për çka bëhet fjalë.

Ne jemi dëshmitarë të një mbylljeje tjetër, e cila është, si gjithçka që përkon me Kosovën dhe me ne, një ‘Sui Generis’.

Është kjo një vetë-mbylljeje, një vetë-dëmtim në trajtë të një paralize të vazhdueshme institucionale, ku nuk po arrimë dot të bëhemi me pushtet qendror, teksa së shpejti, apo me 7 qershor, do të dalim për herë të tretë në zgjedhjet e përgjithshme, në një hark kohor prej vetëm 15 muajsh.

Nuk ka pra jetë normale apo të natyrshme politike, që njeh institucione të krijuara dhe funksionale, një përballje të vazhdueshme parlamentare në mes të pushtetit dhe opozitës, një diskutim publik dhe mediatik për gjendjen ku është vendi dhe çka mund të bëhet tash e tutje.

Politika duhet t’i shërbejë vendit dhe qytetarëve. Kështu do të duhej të ishte. Me Kushtetutë, me ligje, por edhe me logjikën fare të thjeshtë, në një demokraci.

Tek ne tash e sa kohë, vendi dhe qytetarët janë në shërbim të politikës. Orë e ças’ gjithçka i nënshtrohet përplasjeve të vazhdueshme në mes të politikanëve dhe partive, të cilët janë të angazhuar përherë në lojën e fajësimit për këtë paralizën kontinuele institucionale të Kosovës.

Në përgjithësi, sjelljet dhe veprimet e tyre i përngjajnë atyre të cilat nuk kishim qare pa i përqafuar në vitit 2020  (sidomos), kur duhej aplikuar ‘distancën sociale’, bartjen e maskave dhe madje, edhe vetë-izolimin.

Tash, në rrethanat krejtësisht tjetër fare  (natyrisht), po shohim një ‘distancë politike’, maska kush nuk mbanë më  (por ato janë gjithnjë e më të dukshme, do të mund të thuhej), teksa kur flitet për izolimin, ai ka marrë trajtën e mungesës elementare të komunikimit në mes të politikanëve tonë. Ata pra, janë disi të izoluar prej njeri-tjetrit, thuajse ai tjetri ka farë virusi vdekjeprurës, shumëfish më të rrezikshëm se sa COVID-19.

Dhe këtu pastaj ka ardhur në shprehje (dhe në dukje), “Lockdown culture” e kësaj skene politike.

Ajo po na shfaqet tash e sa kohë, në disa trajta a forma si: Letra publike, postim në rrjetet shoqërore, komunikata për media.

Në këtë kulturën tonë tradicionale politike, nuk mund të thuhet që jemi krenar për një komunikim të drejtpërdrejtë në mes të politikanëve dhe partive, i cili ka qenë i dobishëm dhe ka çelë udhë për marrëveshje. Por së paku asnjëherë nuk ka ndodhur (deri tash, kuptohet), që të mos ketë përpjekje të mirëfillta, jashtë syve të opinionit, për të krijuar kanale të komunikimit në mes tyre, me qëllim që të mos hyhet në një krizë të thellë politike.

Natyrisht, ka pas kriza të tilla politike edhe më parë, por nuk ka pas vet-izolim si tash.

Letrat publike, komunikatat për media dhe postimet në rrjetet shoqërore nuk zgjidhin gjë.

Në të vërtetë, ato as synojnë të zgjidhin gjë. Me to, animohen mediat dhe qytetarët dhe vazhdon ajo loja e fajësimit e cila nuk ka fillim dhe nuk ka fund.

Asgjë më pak dhe asgjë më shumë.

Ky është kontributi ynë për “Lockdown culture” origjinal. Që është ‘prodhim vendor’.