11:09 / E Shtunë, 20 Prill 2019

110 u kthyen në Kosovë, por edhe sa kosovarë kanë mbetur në Siri

Në Siri, kanë mbetur edhe 87 shtetas të Kosovës, prej të cilëve 30 luftëtarë, 49 gra e 8 fëmijë, njofton Indeksonline.

Këtë e bëri të ditur drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, në konferencën lidhur me kthimin e 110 kosovarëve në orët e para të së shtunës.

“Kemi informata për rreth 30 luftëtarë që janë ende në Siri, 49 gra dhe 8 fëmijë”, tha Qalaj.

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, pranoi se nuk kanë arritur t’i kthejnë të gjithë, derisa tha se janë duke punuar që t’i kthejnë edhe kosovarët e mbetur atje.

“Nuk kemi arrit që t’i kthejmë të gjithë. Për këtë iniciativë ne kemi punuar nga tetori. Ne nuk do të ndalemi që ti kthejmë të gjithë qytetarët e Kosovës dhe nëse kanë kryer vepra terroriste të përballen me drejtësinë. Nuk mund të lejojmë që qytetarët tanë të kthehen në kërcënim për perëndimin”, tha Tahiri.

Ndryshe, 110 shtetas të Kosovës janë kthyer në Kosovë nga Siria me ndihmën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Prej tyre 4 janë luftëtarë, të cilët edhe janë arrestuar kurse të tjerët, gra e fëmijë, janë strehuar në Qendrën e Azil Kërkuesve në Vranidoll të Prishtinës. /Indeksonline/