10:08 / E Martë, 04 Shtator 2018 / indeksADMonline

12 raste të dhunës në familje për një muaj në Gjakovë

Vetëm muajin e kaluar në Prokurorinë Themelore të Gjakovës janë pranuar 12 raportime si raste të dhunës në familje ndërsa ndaj të gjithë të dyshuarve është caktuar paraburgimi.

Në një njoftim të Prokurorisë Themelore të Gjakovës bëhet e ditur se për secilin prej rasteve të raportuara është nxjerrë aktvendim për fillim të hetimeve dhe procedurë është duke vazhduar në zbardhjen e rasteve. Për më tepër, për secilin nga rastet e paraqitura është kërkuar edhe ekspertizë për të provuar sa më mirë kryerjen e veprës. “Gjithashtu, është marrë vendim për ekspertizë, ku për secilin rast pritet të kthehet ekspertiza nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, dhe të njëjtëve t’iu ngritet aktakuza”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Në njoftim po ashtu thuhet se Prokuroria Themelore në Gjakovës i trajton me seriozitet të lartë të gjitha rastet, duke iu kushtuar vëmendje të veçantë rasteve të dhunës në familje.

“Vlen të theksohet se në Prokurorinë Themelore të Gjakovës, për rastet e dhunës në familje tash e dy vite është i caktuar një prokuror i cili merret ekskluzivisht me këto raste”, thuhet në njoftim.

Vetëm muajin e kaluar në Gjakovë ndodhën dy raste të ndryshme në të cilat mbetën të vrara 3 gra.

40 vjeçarja, Valbona Nrecaj dhe vajza e saj 9 vjeçare u qëlluan për vdekje mbrëmjen e 7 gushtit. Dorasi dyshohet të jetë ish-bashkëshorti i viktimës. Rreth dy javë më pas, më 20 gusht ndodhi edhe një vrasje tjetër ku mbeti e vrarë një grua e moshës 61 vjeçare.

Në të dyja këto raste, prokuroria e në veçanti policia u ballafaquan me kritika të shumta për paaftësinë e tyre për të parandaluar këto vrasje respektivisht për të zbuluar shkakun e vrasjen në rastin e fundit.