17:17 / E Diele, 16 Shkurt 2020 / indeksADMonline

12 të arrestuar në Gjermani për planifikimin e sulmeve terroriste

Policia e Gjermanisë ka arrestuar 12 persona nën dyshimin për përfshirje në një komplot të së djathtës ekstreme për përmbysjen e rendit politik përmes sulmeve të shënjestruara.

Katër nga të dyshuarit u arrestuan nën dyshimin për themelimin e një organizate terroriste të së djathtës ekstreme në shtator të vitit të kaluar.

Ndërkaq tetë të tjerët për ofrimin e përkrahjes financiare për ta.

Prokurorët gjermanë thanë se personat e arrestuar ishin duke planifikuar sulme kundër politikanëve, azilkërkuesve dhe myslimanëve, shkruan Welt am Sonntag.

Përkrahja për grupet e së djathtës ekstreme në Gjermani është duke u rritur në mënyrë të ndjeshme, sidomos në pjesën lindore të Gjermanisë, e cila dikur qeverisej nga sistemi komunist.

Personat e arrestuar, që janë të moshës nga 20 deri në 50-vjeçare, e kishin formuar grupin e quajtur “Der harte Kern” apo në shqip “Bërthama e fortë”, raportoi gazeta “Welt am Sonntag”, duke shtuar se ata janë arrestuar në gjashtë rajone të ndryshme, përcjell Albinfo.ch