23:23 / E Shtunë, 25 Nëntor 2017 / indeksADMonline

12 vite nga vdekja e George Best, farmacisti nga Tirana që tentoi t’i shkonte në varrim

Sot, më 25 nëntor, George Best ka përvjetorin e ndarjes nga jeta. “Futbolli ka humbur George Bestin, ‘El Beatle’, poetin e këtij sporti” shkruhej në atë periudhë. Por, pakkush e di se një moment i karrierës së tij është i lidhur edhe me Shqipërinë. Ishte koha kur Irlanda e Veriut, në mënyrë surprizë, barazoi në “Qemal Stafa” duke u eliminuar nga finalet e Botërorit anglez 1966. Bashkë me të, një histori e rrallë kjo e Adem Mahas, djalit të të mirënjohurit Elez Maha.

Jo se e ka mbajtur sekret, por koha dhe pak indiferentizëm e kanë bërë ta lërë në harresë. E ndërsa vjen fundi i çdo nëntori, kur e gjithë bota e kujton edhe ai i rikthehet me shumë pasion dhe e rrëfen tani pas shumë vitesh atë moment që e lidhi përjetësisht me kolosin e futbollit botëror, George Best. Nga fusha e Pallatit të Pionierëve, ndeshja në “Qemal Stafa” me Irlandën dhe tentativat nga aeroporti i Londrës për të marrë pjesë në varrimin e tij. Një jetë e Mahës nën shenjën e Bestit, nga moda, flokët, basetat, që edhe sot e shoqërojnë farmacistin e njohur të kryeqytetit, një pasionant i madh i sportit, tifoz i Dinamos dhe i Milanit të Riverës.

CILI ISHTE GEORGE BEST?

Një nga futbollistët më të mirë të të gjitha kohërave. 175 cm i gjatë, ai është një ndër dribluesit më të mëdhenj të historisë, një sulmues i shkëlqyer, me teknikë të lartë, forcë fizike, start, i zoti në lojën në ajër dhe rezistent në përplasje. Edhe pse fiziku nuk i garantonte një performacë të tillë, ai nuk i njihte mbrojtësit, të cilët i kalonte me shumë lehtësi. I quajtur “I Pesti i Beatles”, si futbollisti parë që i ka imituar me flokët e gjata të ngjashme me ato të grupit muzikor nga Liverpool.Është fitues i Kupës së Kampioneve në vitin 1968, Manchester United-Benfika 4- 1, luajtur në Londër dhe një vit më vonë i “Topit të Artë”.

GOLI I JETËS QË I ANULUAN

Best është protagonist i një prej episodeve më të famshme të karrierës së tij gjatë një ndeshje duke realizuar një ndër golat më spektakolarë kundër përfaqësueses angleze. Më 15 maj 1971, ndërsa portieri Gordon Banks largon topin, Best me intuitën që e karakterizonte, edhe pse shumë larg tij, me këmbën magjike e godet menjëherë topin në drejtim të portës së boshatisur që ka përfunduar në rrjetë. Por, papritur dhe pa asnjë motiv ai është anuluar nga arbitri Alistair Mackenzie. Në karrierën e tij luajti me Manchester United nga viti 1963 deri 1974, pastaj transferimi në SHBA, kthimi në Europë. E mbylli karrierën në vitin 1984 me klubin Bournemouth në moshën 38-vjeçare.

BEST, JETA MIDIS FUTBOLLIT, ALKOOLIT DHE FAMËS

I goditur nga sëmundjet e shkaktuara nga alkooli, në vitin 2002, ai i nënshtrohet një transplanti të mëlçisë, kur ishte në moshën 56-vjeçare. Më 2 tetor 2005 shtrohet në një klinikë private në Londër, nën një terapi intensive, këtë radhë për mushkëritë. Në fund të nëntorit gjendja shëndetësore fillon të përkeqësohet dhe me 20 nëntor, një revistë angleze, krahas një fotoje të Bestit në gjendje të rëndë shtrirë në krevat, publikon shprehjen publike të tij:

“Mos vdis si unë”. Ishte djali Calum që i qëndroi afër në ditët e fundit të jetës, që u komunikoi gazetarëve lajmin e ndarjes nga jeta më 25 nëntor. Funerali u zhvillua më 2 dhjetor 2005, në Belfast dhe ai u vendos pranë varrit të nënës së tij. Më 22 maj 2006, në rastin e 60-vjetorit të lindjes, aeroporti i Belfastit mori emrin e tij. Ndërkohë, figurës së George Besit i është dedikuar një film biografi, interpretuar nga John Lynch.