Ademi reagon pas vdekjes së Fatjon Bunjakut
E gjithë futbolli kosovar është tronditur me vdekjen e futbollistit Fatjon Bunjaku.
22-vjeçari vdiq si pasojë e një aksidenti fatal në rrugën Mitrovicë-Vushtrri.
Rreth kësaj bëri postim dhe i pari i FFK-së, Agim Ademi i cili shprehu ngushëllime familjes së futbollistit.
“Me dhimbje të thellë dhe pikëllim të madh morëm lajmin për ndarjen tragjike dhe të parakohshme nga jeta të më të dashurit tuaj, Fatjon Bunjakut. Në emrin tim personal, të Komitetit Ekzekutiv të Federatës së Futbollit të Kosovës dhe të gjithë komunitetit të futbollit në vend, ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta për këtë humbje të rëndë e të pazëvendësueshme. Fatjoni ishte shumë më tepër se një futbollist i talentuar. Ai ishte një djalë i edukuar, i përkushtuar dhe me ëndrra të mëdha, i cili me punën, karakterin dhe dashurinë për futbollin arriti të fitojë respektin e të gjithë atyre që patën fatin ta njohin dhe të punojnë me të. Kontributi i tij në klubet ku luajti dhe paraqitjet me fanellën e Kosovës U21 do të mbeten pjesë e kujtimeve të çmuara të futbollit tonë. Fatjoni përfaqësoi me krenari ngjyrat e Kosovës dhe ishte një shembull i një sportisti që gjithmonë synonte të ecte përpara. Largimi i tij në një moshë kaq të re na ka tronditur të gjithëve. Futbolli kosovar humbi një talent të madh, ndërsa familja, miqtë dhe bashkëlojtarët humbën një njeri të dashur, që la gjurmë të pashlyeshme në zemrat e tyre.Në këto çaste të rënda, ndajmë dhimbjen me ju dhe lutemi që të gjeni forcë për ta përballuar këtë humbje të madhe. Qoftë i përhershëm kujtimi për Fatjonin. U prehtë në paqe”, shkroi Ademi.
Bunjaku, së fundmi kishte luajtur në kampionatin shqiptar te skuadra e AF Elbasanit./IndeksOnline/

