75 Mall Live Search
11:43 / E Hënë, 06 Korrik 2026 / S Z

136 ndërhyrje për rindërtimin e gjirit u kryen në QKUK gjatë tri viteve të fundit

Në Klinikën e Kirurgjisë Plastike, Rekonstruktive dhe Estetike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), gjatë tre viteve të fundit janë realizuar 136 ndërhyrje për rindërtimin e gjirit me implante te gratë që kanë kaluar kancerin e gjirit dhe janë trajtuar me mastektomi.

Sipas të dhënave të klinikës, vetëm gjatë vitit 2026 janë kryer 12 ndërhyrje të tilla, ndërsa shërbimi vazhdon të ofrohet pa listë pritjeje. Implantet e gjirit sigurohen pa pagesë, duke u mundësuar pacienteve qasje të barabartë dhe në kohë në trajtim.

Mosha e grave që i janë nënshtruar këtyre ndërhyrjeve ka qenë kryesisht nga 35 deri në 65 vjeç.

Mjekët vlerësojnë se rezultatet e arritura kanë qenë shumë të mira, si nga aspekti funksional ashtu edhe ai estetik. Rindërtimi i gjirit ka ndikuar në përmirësimin e cilësisë së jetës, rikthimin e vetëbesimit dhe mirëqenies psikologjike të pacienteve që kanë kaluar trajtimin e kancerit të gjirit.

Në kuadër të trajtimit rekonstruktiv, në anën ku është kryer mastektomia vendoset implanti i gjirit, ndërsa, sipas nevojës dhe dëshirës së pacientes, në gjirin tjetër mund të realizohen procedura rekonstruktive ose estetike për të arritur simetri sa më natyrale.

Ky shërbim synon jo vetëm rikthimin e pamjes trupore pas trajtimit të kancerit të gjirit, por edhe përmirësimin e shëndetit, cilësisë së jetës dhe integrimit të plotë të grave në jetën e përditshme.