23:34 / E Hënë, 28 Tetor 2019 / indeksADMonline

16-vjeçari i dha fund jetës, debati me prindërit dy javë më parë që shkaktoi tragjedinë

Të gjithë shokët dhe shoqet e njihnin si person të qeshur dhe të shoqërueshëm. Gjergji më 17 dhjetor do të mbushte 16 vjeç, ditëlindje të cilën nuk do ta festojë dot kurrë.

Adoleshenti i dha fund jetës në rrethana ende të paqarta. Ngjarja tragjike ka ndodhur në fshatin Verri të Fierit. 15-vjeçari mësohet se ka varur veten brenda në kasolle.

Zyrtarisht Policia nuk jep detaje mbi motivin dhe rrethanat e ngjarjes, por ndërkohë mësohet se shkak mund të jetë bërë gjendja e vështirë ekonomike në familjen e tij. Grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje, duke nisur me marrjen në pyetje të familjarëve të adoleshentit.

Ata kanë deklaruar se nuk kanë pasur debate me djalin e tyre dhe se janë të tronditur nga kjo ngjarje krejt e papritur. Ata kanë thënë po ashtu se Gjergji ishte sjellë ditët e fundit si gjithmonë, duke mos dhënë shenja të ndonjë ngarkese emocionale.

“Rreth orës 16:30 dyshohet se është vetëvarë dhe ka ndërruar jetë një shtetas 16- vjeçar nga fshati Verri, Fier. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje”, bëhet e ditur nga Policia.

Ndërkohë që zyrtarisht Policia nuk e jep ende motivin, që mund ta ketë çuar adoleshentin drejt aktit të vetëvrasjes. Fillimisht u dyshua se bëhej fjalë për ndonjë konflikt që kishte pasur kohët e fundit me shokët, por një fakt i tillë është përjashtuar nga vetë familjarët, por edhe personat me të cilët shoqërohej adoleshenti.

Burime nga banorë të zonës dhe të afërm që e njihnin familjen e 15-vjeçarit kanë treguar se familja jetonte në kushte të vështira ekonomike. I ati i viktimës merrte edhe ndihmë ekonomike. Sipas fqinjëve, adoleshenti ka dashur të linte shkollën dhe të emigronte jashtë shtetit për të ndryshuar ekonominë e familjes, por familjarët nuk e kishin lejuar.

Debati në familjen e tij ka ndodhur dy javë më parë, ku pavarësisht se i riu u ka shprehur dëshirën që prindërit t’i gjenin një mundësi për të emigruar, ata ia kanë prerë hovin duke i thënë se fillimisht duhet të përfundonte shkollën.

Për këtë fakt, dyshohet se i riu mund të ketë përjetuar stres dhe gjendja e rënduar psikologjike e ka çuar drejt aktit ekstrem. Ndonëse shokët dhe shoqet e tij e përshkruajnë si djalë të shkathët dhe të qeshur, një nga mësueset e 15-vjeçarit u ka treguar hetuesve se Gjergji kishte disa ditë që rrinte i heshtur.

MESAZHET

Me dhjetëra mesazhe ngushëlluese për të riun janë lënë në faqen zyrtare të shkollës “Vasil Sota”. Shokë të 15-vjeçarit, por dhe nxënës të tjerë dhe mësues, kanë shprehur ngushëllime për dhënien fund të jetës. “Nuk kemi guxim të shkruajmë një lajm të tillë. Gjergji, na le shumë shpejt… Qofsh i parajsës, se engjëjt atje shkojnë”, shkruhet në faqen e shkollës në rrjetin social “Facebook”.