23:19 / E Diele, 05 Prill 2020

17 punonjës shëndetësorë të vetizoluar në komunën e Vushtrrisë

Sot janë konfirmuar edhe pesë raste të reja me COVID19. Duke shkuar kështu në 145 numri i të infektuarve në Kosovë.

Vushtrria vazhdon të jetë një nga komunat e prekura, ku gjithsej deri më tani 9 persona kanë rezultuar pozitiv me virusin korona.

Si pasojë e kësaj, një pjesë e punonjësve shëndetësorë në këtë komunë, tashmë janë izoluar.

Këtë e ka konfirmuar për Indeksonline, drejtori i Shëndetësisë në Vushtrri, Sylejman Meholli.

“Si pasojë e kontraktimit me pacienten me vendbanim në Smrekonicë që dje ka dalë pozitiv me COVID19, tashmë janë të izoluar 17 punonjës.

9 nga QKMF, 6 të Spitalit dhe 2 privat”, ka thënë Meholli.

I njëjti tutje ka shtuar se këta punonjës nuk i janë nënshtruar testit për COVID19, e për këtë vendos IKSHPK.

“Gjendja e tyre është e mirë. Nuk do të thotë që ata janë prekur nga virusi. Thjeshtë një kujdes profillaktik”, ka shtuar ai.

Ndryshe, nga data 08.02.2020 deri me 05.04.2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 1.964 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2./Indeksonline