15:06 / E Martë, 28 Mars 2023 / AR

17-vjeçari që udhëtoi me biçikletë nga Alaska në Argjentinë

Një 17-vjeçar i quajtur Liam Garner filloi udhëtimin e tij në bregun e Oqeanit Arktik në Gjirin Prudhoe, Alaska dhe udhëtoi me biçikletë në autostradën Pan-Amerikane.

Liam Garner, një çiklist me përvojë vendosi të niste eksperiencën më sfiduese të jetës së tij sapo u diplomua nga gjimnazi, raporton CNN.

Ai tha se nuk u kishte treguar asgjë prindërve të tij të divorcuar përpara se gjithçka të ishte gati për tu nisur, pasi e dinte që ata do ta kundërshtonin menjëherë. Një rrugëtim prej më shumë se 32 mijë kilometrash, i cili zgjati rreth 1 vit e gjysmë, ose më saktë 527 ditë ishte i mbushur me sfida.

Përgjatë rrugëtimit të tij ku  i riu ka kaluar shtete si Meksika, Kolumbia, Guatamala, Peruja  dhe Kili Liam Garner u grabit të paktën 5 herë dhe kaloi një muaj në spital pas një aksidenti që pati me biçikletë.

Në këtë sfidë ai shprehet se ka mbijetuar me një buxhet prej 430 dollarësh në muaj. Në një pjesë të këtij  rrugëtimi  i riu u shoqërua nga partnerja e tij teksa theksoi se të vetmet here që mendoi të hiqte dorë nga kjo gjë ishte kur u grabit në Meksikë dhe u përball për dy javë atje me temperatura mbi 40 gradë celcius , të cilat bënë që ai të sëmurej.

I riu ka dokumentuar pjesë nga udhëtimi i tij nëpërmjet videove që ka hedhur në rrjetin social TikTOK. Garner i cili tani është 19 vjeç rrëfeu se momenti emocional për të ishte mbërritja në Meksikë dhe qëndrimi atje për rreth 4 muaj e gjysmë. E gjitha kjo sepse ai vjen nga një familje emigrantësh nga ky vend.

Liam Garner ka vendosur që edhe kthimin e tij për në shtëpi ta bëj nëpërmjet biçikletës, teksa shprehet se do ti duhen edhe 4 muaj për të mbërritur në shtëpi.