08:25 / E Shtunë, 15 Maj 2021 / B O

174 milion euro për Tuchel, Chelsea projekton goditjen e madhe në sulm

Thomas Tuchel mori drejtimin e Chelsea më 26 janar dhe ndryshimi pozitiv u vu re menjëherë. Ekipi londinez luan bukur, shënon gola, zhvillon një punë madhështore në prapavijë dhe po fiton.

Nesër zhvillohet finalja e FA Cup ndaj Leicester City (18:15), ndërsa më 29 maj do të tentohet fitimi i trofeut të Champions League në finalen angleze ndaj Manchester City të Pep Guardiolës.

Rendimenti i lartë i skuadrës i ka bindur të gjithë drejtuesit që kanë marrë vendimin e duhur në lidhje me shkarkimin e Frank Lampard dhe zëvendësimin e tij me teknikun gjerman. Chelsea ka vendosur të mos kursehet në merkaton e verës.

The Sun raporton se drejtuesit e “Bluve të Londrës” do t’i vënë Tuchel në dispozicion plot 174 milion euro për merkaton. Pjesa më e madhe e të cilave pritet të shkojë për një qendërsulmues. Giroud do largohet, Abraham nuk bind dhe trajneri 47-vjeçar ka nevojë për një emër të madh.

Opsionet? Dy janë të preferuarit: Erling Haaland i Dortmundit dhe Romelu Lukaku i Interit. Paratë nuk janë problem dhe Chelsea do nisë ofensivën në fund të sezonit për të siguruar shërbimet e njërit prej tyre.