12:02 / E Premte, 03 Maj 2024 / k.v

Ish-zyrtari i Komunës së Prishtinës deklarohet i pafajshëm për korrupsion, i janë ngritur 24 aktakuza nga 9 prokurorë

Rexhep Mehmeti, ish-zyrtar në Komunën e Prishtinës, është deklaruar i pafajshëm për korrupsion. Ndaj tij ishin ngritur 24 aktakuza nga nëntë prokurorë gjatë viteve 2022-2023 për kryerjen e veprave penale “falsifikim i dokumentit zyrtar” dhe “Marrje ryshfeti”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Deklarimin e tij në lidhje me fajësinë, i akuzuari Mehmeti e bëri pasi aktakuzat u konstatuan të lexuara me pëlqimin e palëve, pasi që të njëjtat ishin lexuar në seancën e kaluar të shqyrtimit fillestar.

Ndryshe, në seanca e kaluar të shqyrtimit fillestar ishte ndërprerë pas kërkesës së të akuzuarit Mehmeti dhe avokatit të tij, Imer Beka, në mënyrë që të analizojnë rrethanat edhe njëherë.

Në 24 aktakuzat e dorëzuara nga ana e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, i pandehuri Mehmeti ngarkohet për kryerjen e veprave penale “falsifikim i dokumentit zyrtar” nga neni 427, paragrafi 1 dhe “marrje ryshfeti” nga neni 421, paragrafi 1 të Kodit Penal.

Sipas aktakuzave, ai akuzohet se në cilësi të ofiqarit të Gjendjes Civile në Komunën e Prishtinës, i cili tash gjendet në pension, kishte regjistruar dhe pajisur me dokumente identifikim personat që nuk kanë plotësuar kriteret për t’u pajisur me to.

Mehmeti në cilësinë e zyrtarit të Gjendjes Civile akuzohet se në vazhdimësi, duke keqpërdorur detyrën e tij zyrtare, kishte futur në sistem persona të ndryshëm, duke i regjistruar fillimisht si persona të mitur e pastaj ka ndryshuar dhe regjistruar si persona madhor.

Në aktakuza, thuhet se veprimet e të pandehurit Mehmeti kanë ndodhur në kundërshtim me vendimin e ministrit të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), më 2020. Ky vendim përcaktonte se zyrtarët në degët e Komunës, nuk kishin të drejtë të regjistronin persona mbi moshën 18 vjeç për herë të parë, për të cilën punë ishin autorizuar zyrtarë tjerë.

Madje, sipas aktakuzave vendimi i MPB-së përcaktonte se askush nuk mund të merrte certifikatë pa qenë vetë prezent, të kishte dokument me foto ose dy dëshmitarë. Sipas aktakuzave, shumica prej këtyre personave, e që janë mbi 100 raste nuk kanë figuruar fare në librin amëz e për disa ka regjistrime fiktive në këtë libër.

Po ashtu, në aktakuza thuhet se përveç ndërrimit të vitit të lindjes, në disa raste ai akuzohet se u kishte mundësuar personave te caktuar ndërrimin dhe vjedhjen e identitetit, duke i regjistruar me emra dhe të dhëna tjera.