09:07 / E Mërkurë, 21 Tetor 2020 / indeksADMonline

20-vjeçari nga Kosova ia sheh sherrin Gjermanisë, detaje pse u dënua me burgim

Autori i një sulmi me thikë të kryer në qendër të Frankfurtit, një 20-vjeçar me prejardhje kosovare është dënuar nga Gjykata e Landit e Frankfurtit me katër vjet e tetë muaj burgim, shkruan agjencia gjermane e lajmeve DPA.

Gjykatësit në procesin e zhvilluar të hënën kanë konstatuar se ai kishte bërë tentativë vrasjeje, transmeton albinfo.ch. Ndërsa vëllai i tij 18-vjeçar u dënua me nëntë muaj dënim me kusht për shkaktim të lëndimeve të rrezikshme fizike.

Për arsye të panjohura, midis vëllezërve dhe viktimës së tyre 27-vjeçare kishte shpërthyer një përleshje fizike në një natë maji të vitit të kaluar në Konstablerwache.

Megjithëse viktima tashmë ishte dorëzuar, 20-vjeçari, shtetas gjerman me origjinë kosovare kishte nxjerr një thikë dhe e kishte goditur tetë herë kundërshtarin në pjesën e sipërme të trupit.

Njeriut të plagosur rëndë iu desh të qëndronte në spital dhjetë ditë. Përveç pasojave të rënda që ka shkaktuar sulmi i 20-vjeçarit, edhe fakti se ai tashmë kishte disa dënime të mëparshme u vlerësua nga gjyqtarët si rrethanë rënduese.

Vetëm një ditë pas krimit, ai duhet të mbaronte mbajtjen e një dënimi me burg për të mitur. Nga ana tjetër, gjykata nuk mundi të provonte se vëllai i tij kishte njohuri për thikën që kishte përdorur 20-vjeçari.

Vendimi nuk është ende i plotfuqishëm.