10:16 / E Hënë, 04 Janar 2021 / C E

2020/ Ëndërr e pa realizuar

Kombëtarja e Kosovës

Vitin 2020 tifozët e futbollit kosovar e pritën me padurim. Pa dyshim, kryengjarja në gjithë sferën sportive këtë vit ishte Kombëtarja e Kosovës, që pati shansin historik për t’u kualifikuar në Kampionatin Evropian. Ndeshja gjysmëfinale e playoffit kundër Maqedonisë Veriore ishte planifikuar të zhvillohej në mars, por pandemia Covid-19 detyroi UEFA-në ta shtyjë për në qershor, por edhe atëherë situata në botë ishte e rëndë me koronavirusin dhe përfundimisht u caktua tetori për t’u luajtur takimi në Shkup.

Fatkeqësisht, kjo gjysmëfinale e gjeti Kosovën të “plagosur”, që për shkak të lëndimeve munguan lojtarët kryesorë si Milot Rashica, Vedat Muriqi, Amir Rrahmani, Samir Ujkani etj.

Maqedonasit veriorë fituan 2-1 dhe ëndrra për kualifikim në Kampionatin Evropian mbeti e parealizuar. Në përgjithësi viti 2020 ishte negativë për “dardanët” që zhvilluan 9 ndeshje, duke regjistruar vetëm 1 fitore, kundër Moldavisë në takimin e fundit të Ligës së Kombeve në Prishtinë.

Drita kampion – Prishtina fitoi Kupën

Në futbollin lokal, u zhvillua një sezon jashtëzakonisht interesant në Superligë. 4 skuadra ishin pretendente për titullin e kampionit deri në javët e fundit, Drita, Prishtina, Ballkani e Gjilani. Ballkani ishte shumë afër që të shkruante historinë për tu bërë kampion për herë të parë në histori të klubit, por gabimet në disa ndeshje si me Flamurtarin e Ferizajn u kushtuan suharekasve dhe Drita festoi në fund titullin e 3-të kampion.

Është interesant të theksohet se Drita dhe Gjilani patën pikë të barabarta në fund nga 68, poashtu Gjilani kishte bilanc më të mirë të goldallimit por, në saje të ndeshjeve direkte, Drita u shpallë kampion, e Gjilani fitoi të drejtën që të garojë në parakualifikimet e Ligës së Evropës për herë të parë në histori të klubit.

Pas përfundimit të sezonit në Superligë, Prishtina dhe Ballkani mbetën pa siguruar plasman në garat evropiane. Por shansin e fundit që ta arrijnë këtë, e patën përmes Kupës së Kosovës. E pikërisht këto dy skuadra u ballafaquan në finale. Prishtina me trajnerin Armend Dallku, në saje të eksperiencës më të madhe që pati te futbollistët e menaxhoi lojën më mirë dhe fitoi 1-0 me golin e Otto John.

Pjesëmarrja në garat evropiane

UEFA-ja ia mundësoi Kosovës për herë të parë të dërgojë 3 skuadra në garat evropiane. Drita si fituese e kampionatit mori pjesë në parakualifikimet e Ligës së Kampionëve, ndërsa Gjilani e Prishtina në parakualifikimet e Ligës së Evropës. Linfield ishte kundërshtar i Dritës në rrethin parakualifikues dhe UEFA-ja vendosi që takimi të zhvillohej në Zvicër. Një ditë para ndeshjes, dy futbollistë të gjilanasve rezultuan pozitiv me Covid-19 dhe për këtë arsye dueli nuk u zhvillua. Komisioni i disiplinës i UEFA-së vendosi që Linfieldi të fitonte me rezultat zyrtar 3-0. Drita u eliminua nga Liga e Kampionëve, por vazhdoi rrugëtimin në Ligën e Evropës. Në rrethin e dytë mposhti Sileksin në Shkup dhe u bërë skuadra e parë kosovare që arriti rrethin e 3-të kualifikues të Ligës së Evropës. Por aty e priti ekipi me renome evropiane Legia Varshava, që fitoi me lehtësi 2-0.

Gjilani me trajnerin Gentjan Mezani nuk e pati problem ta kalonte rrethin parakualifikues ku e mposhti ekipin nga San Marino, Tre Penne 3-1. Por shorti për rrethin e parë ishte i pamëshirshëm për “skifterat” pasi caktoi kundërshtar APOEL-in e Nikozisë. Në stadiumin “Fadil Vokrri” qipriotët fituan 2-0 dhe ndalën rrugëtimin e Gjilanit në Evropë.

Historinë më të dhimbshme këtë vit me koronavirusin e pati Prishtina. “Bardhekaltërit” u desh të udhëtonin në Gjibraltar për të luajtur kundër Lincoln Red Imps-it. Por në ditën e ndeshjes, 8 lojtarë dolën pozitivë me Covid-19 dhe i gjithë ekuipazhi u desh të rikthehej në Kosovë, me kërkesën e autoriteteve të Gjibraltarit. Takimi u shty për disa ditë. por Prishtinës nuk iu lejua që të luante me asnjë lojtar, që pati në grumbullimin e parë në Gjibraltar. Në këtë mënyrë, u desh që në situatë emergjente Prishtina të merrte 22 lojtarë në formë huazimi nga ekipet e tjera në Kosovë dhe trajner vetëm për këtë duel ishte Ramiz Krasniqi. Edhe tenttativa e dytë për të zhvilluar ndeshjen dështoi, sepse Prishtina sërish pati lojtarë të prekur me koronavirusin dhe Lincoln Red Imps-i fitoi zyrtarisht 3-0. /IndeksOnline/