09:55 / E Hënë, 28 Dhjetor 2020 / OSH

2021, viti i shpresës për një rikthim i ekonomisë globale

PhD Cand. Blerta Haliti Baruti

Tremujori i tretë jep shenja te ngadalsimit të rënies. Nevoja për masa konkrete dhe përdorimin sa me efektive të fondeve në dispozicion, për të ruajtur, rritur dhe aktivizuar potencialin ekonomik.

Kosova, vitin 2019 e përfundoj me depozita të larta qeveritare me rreth 5% BPV, dhe me borxh relativisht të ulët publik rreth 17.5% te BPV së. Si rezultat i kësaj, mund te konstatohet se Kosova  ne fazën filletare ka patur hapesirë fiskale për të zbutur efektet e pandemisë. Institucionet e Kosovës kanë aprovuar dhe realizuar një sërë planesh operacionale për zbutjen e efekteve negative që u shkaktuan nga pandemia globale. Plani i parë operacional ishte Pakoja Emergjente Fiskale duke vazhduar me aprovimin e planit operacional për Pakon e Rimëkëmbjes dhe së fundi nga Kuvendi është aprovuar Ligji për Rimëkëmbjen Ekonomike. Për realizimin e planeve operacionale, bazuar në publikimet e fundit për borxhin publik i Kosovës, deri fund të vitit 2020, pritet të arrij nivelet  rreth 1,540 mln euro apo rreth 22% të BPV, që paraqet rritjen më të madhe vjetore deri më tani.

Sipas publikimeve, Parashikimi i Ekonomisë Botërore (WEO) për vitin 2020, janë përmbysur të gjitha parashikimet fillestare dhe njëkohësisht janë bërë ato post pandemike, duke projektuar një rënie të BPV-së në nivel global prej -4.4% në terma real. Në ekonominë Europiane parashikohet të ketë rënie ekonomike  rreth -7.5%, ndërsa, ekonomia e Kosovës do të ketë rënie rreth -5%, kjo si pasojë e ndikimit të ekonomive të jashtme në raport me ekonominë e Kosovës. Ky trend në rënie konfirmohet edhe nga publikimet e fundit nga ASK për dy tremujore të dominuar nga pandemia (TM2, TM3/2020), rritja reale e BPV-së krahasuar me periudhën përkatëse të vitit paraprak kanë shënuar rënie -9.28% (TM2/2020), përkatsisht -7.25% në tremujorin e tretë (TM3/2020).

Invetimet e huaja kishin një rënie prej -27% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2019. Sektorët, ku aktivitetet ekonomike kanë regjistruar rënie të konsiderueshme krahasuar me periudhën përkatëse të vitit paraprak janë: ndërtimtaria me rënie -47.08% (TM2), respektivisht -16.77% (TM3); tregtia, transporti, akomodimi dhe shërbimet ushqimore (gastronomia) me rënie -24.40%, respektivisht -16.89%, pasuar nga aktivitetet financiare dhe të sigurimit me rënie -6.71% përkatsisht -3.67 %, pastaj eksporti i shërbimeve shënon rënie prej -62.93% përkatsisht -59.62 %. Aktivitetet ekonomike që kishin rritje në tremujorin e tretë janë: industria nxjerrëse, përpunuese, energjia elektrike, furnizimi me ujë 6.7%; informacioni dhe komunikacioni 3.65%; aktivitete të pasurive të paluajtshme 2.81%; arte, argëtim, aktivitete të tjera shërbimi 3.67%; administrimi publik, arsimi dhe shëndetësia 3.59%; aktivitetet profesionale dhe administrative 3.3%; bujqësia, pyjet dhe peshkimi 0.58%. Rritje në këtë tremujor kishte: eksporti i mallrave 3.55%; shpenzimet e konsumit final të ekonomive shtëpiake dhe institucineve jopërfituese në shëbime të eko.shtëpiake 16.92 %; dhe shpenzimet e konsumit final të qeverisë 5.99%. Në përgjithësi mund të konstatohet se tremujori i tretë ka dhënë disa sinjale shprese të ngadalsimit të rënies, krahasuar me tremujorin e dytë, periudha e “izolimit të madh” në fillet e para te pandemisë.

Mbetet të shpresojmë për ndikimin pozitiv dhe përmisimin e indikatorëve ekonomik, pas pagesave të para për sektorin privat, rreth 70 mln euro gjatë muajve tetor dhe nëntor, nga Programi i Rimëkëmbjes si dhe transferi i rreth 172 mln euro në llogaritë e kontribuesve nga Trusti (10% e mjeteve të kursyera nga secili kontribues) në dhjetor 2020. Kjo do të ndihmonte në ruajtjen e potencialit ekonomik të vendit dhe kthim gradual në normalitet.

Në publikimin e fundit të Buletinit tremujor nga Ministria e Financave, përveq përmbledhjes së përgjithshme të zhvillimeve kryesore për sektorë të ekonomisë, vëmendje të vecantë ka edhe rëndësia e vlerësimit të potencialit ekonomik si dhe  nevoja për ruajtje nga dëmtime të përhershme në kohë krizash, si është rasti tani. Gjatë periudhave të bumit ekonomik, një ekonomi është duke operuar mbi potencialin e vet ekonomik, ndërsa, gjatë periudhave të krizave ekonomike, sic ndodhet bota tanimë, konsiderohet se një ekonomi operon nën potencialin e vet ekonomik. Edhe Kosova, si shumica e vendeve të tjera të botës, për momentin është duke kaluar në një periudhë të krizës ekonomike e që ka bërë të lind edhe nevoja e vlerësimit të BPV-së potenciale për të analizuar se ku qëndron Kosova ndaj potencialit të vet ekonomik. Një vlerësim i potencialit vetanak ekonomik do të ndihmonte shumë në përdorimin sa më efektiv të fondeve në dispozicion, për ta ruajtur nga dëmtimet, për të rritur dhe aktivizuar potencialin e vet ekonomik, pas periudhave të krizave ekonomike.

Mbetet shpresëdhënës fakti se gjatë vitit 2021, krahas imunizimit me vakcinën anticovid, pritet një rikthim i ekonomisë globale me një rritje prej 5.8%, kjo sipas rishikimeve që i kanë bërë institucionet ndërkombëtare. Për shumë vende të botës, e sidomos vendet e Ballkanit Perëndimor që kanë zhvillim më të ulët ekonomik, kjo rritje nuk do jetë e mjaftueshme për t’u rikthyer në nivelin e zhvillimit ekonomik dhe aktivizimin e plotë të potencialit zhvillimor të para krizës së shkaktuar nga pandemia. Sistemi ekonomik që do të ndërtojmë pas kësaj pandemie, do të duhet të jetë më afatgjatë, më elastik dhe më i ndjeshëm për faktin se globalizimi ekonomik ka tejkaluar globalizimin politik. Por, një gjë është shumë e sigurt: pandemia do të çoj në ndryshime të përhershme të projeksioneve ekonomike për të ardhmen.