07:56 / E Martë, 10 Gusht 2021 / OSH

23 vjet nga rënia e heronjve Agim Bajrami, Besnik Begunca dhe Xheladin Kurtaj

10 gushti i vitit 1998 mbetet një ditë historike për Komunën e Kaçanikut, ngase në këtë ditë nisën krismat e para çlirimtare në këtë anë ku edhe ranë heroikisht komandant Agim Bajrami me bashkëluftëtarët Besnik Begunca dhe Xheladin Kurtaj.

Sot mbushën 23 vjet nga rënia heroike e heronjve Agim Bajrami, Besnik Begunca dhe Xheladin Kurtaj, datë kjo në të cilën shënohet edhe Dita e Dëshmorëve të Brigadës 162 “Agim Bajrami”.

Më 2019, presidenti i atëhershëm i Kosovës Hashim Thaçi ka dekoruar 16 dëshmorët e Komunës së Kaçanikut me urdhrin më të lartë shtetëror “Hero i Kosovës”: Avdylgafur Luma, Bashkim Vishi, Besnik Begunca, Fadil Qaka, Hetem Hasaj, Izahir Troni, Milaim Loku, Muhamet Zeneli, Murat Lika, Nazim Terziu, Nazmi Osmani, Osman Luma, Xheladin Kurtaj, Mejdi Dalloshi, Reshat Shehu dhe Tefik Raka.

Rruga luftarake e Brigadës 162 “Agim Bajrami” ishte e gjatë dhe plot me sakrifica, por ajo ishte edhe e lavdishme.

Kjo brigadë kishte zbatuar strategjinë e Shtabit të Përgjithshëm dhe Komandës së Zonës Operative të Nerodimes, duke përdorur taktikën e luftës për të marshuar rrugës çlirimtare.

Rruga luftarake e Brigadës 162 “Agim Bajrami” ka filluar në mars të vitit 1998 me ardhjen e komandantit Agim Bajrami, i emëruar nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së. Ka bërë koordinimin e vijave furnizuese për UÇK-në, ka formuar njësitë e furnizimit, ka formuar njësitin i cili ka udhëtuar më 18 korrik 1998 për në Tropojë për t’u armatosur dhe përgatitur ushtarakisht dhe ka vendosur njësitet e Kaçanikut më 4 gusht 1998 në pikën e luftës, në Jezerc.

Brigada 162 “Agim Bajrami”, në luftën çlirimtare, ka dhënë 95 dëshmorë të lirisë. Në mesin e tyre edhe dy komandantë të brigadës: Agim Bajrami dhe Qamil Ilazi, dhe veprimtarin e çështjes kombëtare Ismajl Raka.