14:36 / E Hënë, 27 Gusht 2018 / indeksADMonline

25 mijë euro për rehabilitimin e deponisë në Sharr

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Komuna e Dragashit nënshkruan sot një marrëveshje bashkëpunimi për realizimin e projektit “Modernizimi dhe zgjerimi i deponisë së mbeturinave në Sharr”, në vlerë 25 mijë euro dhe do të financohet nga MMPH.

Gjatë ceremonisë, u.d. ministri Fatmir Matoshi tha se MMPH-ja ka një qasje të veçantë për Komunën e Dragashit për shkak të parkut nacional Sharr, andaj ky investim sipas tij ka për qëllim rehabilitimin e deponisë së mbeturinave në Sharr.

“Gjysma e territorit të kësaj komune e përbënë parkun nacional Sharri, andaj kjo na motivon që MMPH-ja të përkrahë këtë komunë me projekte të ndryshme. Ky bashkëpunim do të vazhdojnë edhe në të ardhmen”, tha Matoshi.

Ndërsa kryetari i Komunës së Dragashit, Shaban Shabani, e ka quajtur të domosdoshëm projektin për komunën që ai drejton.

“Ky projekt është i veçantë, sepse ne pretendojmë të jemi si komunë turistike meqë e kemi parkun nacional Sharr. Këto investime dhe investimet e tjera që janë në vazhdimësi, besojë fuqishëm që do të bëjnë një komunë pa mbeturina”, tha ai.

Ndryshe, marrëveshja për rehabilitimin e deponisë në parkun nacional Sharr po bëhet në prag të fillimit të fushatës tre mujore për pastrimin e vendit.