12:49 / E Diele, 04 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Infrakos ka të alokuarar 87 milionë euro, asnjë investim i ri

Tri vitet e fundit përfituesi më i madh i granteve nga Bashkimi Evropian është ndërmarrja publike Infrakos, që merret me menaxhimin e infrastrukturës hekurudhore. 87 milionë euro ka të alokuara, por që investimet deri më tani janë bërë vetëm në rrjetin ekzistues dhe nuk është shtuar asnjë vije hekurudhore e re.

Çdo vit kjo ndërmarrje përfiton grante për mirëmbajtje të rrjetit hekurudhor në vlerë prej 800 mijë euro edhe nga Qeveria e Kosovës.Kryeshefi ekzekutiv i Infrakosit, Agron Thaçi, në një intervistë për KosovaPress është shprehur se grantet janë për rehabilitimin e linjës hekurudhore dhe se ato shpenzohen me fillimin e projektit në terren, por që deri më tani nuk ka ndonjë projekt që ka nisur.Kurse, sa i përket granteve nga Qeveria e Kosovës, ai thotë se ato janë për mirëmbajtje të rrjetit hekurudhor, por shumën prej 800 mijë euro ai e quan minore.Thaçi thotë se si ndërmarrje përkujdesen që këto grante nga BE-ja dhe Qeveria e Kosovës të përdoren vetëm për investime të mëdha dhe se nuk janë për shpenzime buxhetore.

Sa i përket granteve që merr nga Qeveria e Kosovës, Thaçi thotë se me to kanë arritur që të mirëmbajnë rrjetin hekurudhor, por që prapë thotë se granti prej 800 mijë euro është i pamjaftueshëm.

Me gjithë shumën e madhe të parave që kjo ndërmarrje merr nga grantet, kryeshefi Thaçi thotë se infrastruktura hekurudhore në Kosovë është mesatarisht e mirë. Ai shprehet se problem kryesor i kanë vendkalimet, kurse gjendje më e dobët infrastrukturore thotë të jetë në tunele.

Thaçi ka deklaruar se për 40 vite nuk është investuar, sipas tij, atë që e kanë bërë kanë qenë riparime rutinë për të mbajtur gjendjen nën kontroll që të mos cenohet siguria e qytetarëve.

Kreu i Infrakosit thotë se tani janë duke hartuar projekte që sa më shpejt të fillojë përmirësimi dhe rehabilitimi i komplet rrjetit hekurudhor.

Për vonesën e fillimit të investimeve ai arsyetohet duke thënë se infrastruktura hekurudhore është e shtrenjtë.

Sipas tij, tani janë duke e bërë edhe projekt dizajnin e linjës Fushë Kosovë-Prishtinë-Podujevë dhe që pretendojnë që deri në vitin 2019 të finalizojnë këtë projekt, që më pastaj të shikojnë për mundësinë e financimit.

Infrakosi menaxhon edhe me stacionet e trenave, ku për këto stacione kryeshefi i Infrakosit, Agron Thaçi, thotë se janë të amortizuara dhe se nuk është investuar me vite. Ai potencon se mbi 30 vite nuk është investuar në mirëmbajtjen e stacioneve ekzistuese të trenave.

Hekurudhat e Kosovës kanë gjatësi prej 333,951 km linjë e hapur hekurudhore, me një gjatësi prej 105,784 km në stacione dhe 103,4 km linja industriale.