09:16 / E Premte, 05 Qershor 2020 / indeksADMonline

25 shqiptarë zihen, duke udhëtuar ilegalisht në një autobus, në Gjermani

Gjatë kontrollimit të një autobusi të relacioneve të gjata në Ruhstorf an der Rott, u zbulua se 25 persona kishin shkelur Ligjin mbi të drejtën e qëndrimit në Gjermani. Disa prej tyre kishin tejkaluar ndjeshëm të drejtën afatshkurtër për të qëndruar për 90 ditë në këtë shtet, shkruan pnp.de.

Pasditen e djeshme, një autobus përplot me shtetas të Shqipërisë dhe të Kosovës ishte duke udhëtuar përmes Austrisë në vendet përkatëse: Kosovë dhe Shqipëri. Por autoritetet kufitare austriake në GÜG Suben ia kanë refuzuar hyrjen sepse janë gjetur parregullsi tek shumë pasagjerë në lidhje me ligjin e qëndrimit.

Pas refuzimit, autobusi u kontrollua në pikën e kontrollit kufitar të Policisë Federale, në Gjermani, të vendosur në parkingun automobilistik Rottal-Ost, përcjell albinfo.ch. Nga kontrollimi i bërë doli se gjithsej 22 shtetas të Shqipërisë dhe 3 të Kosovës në disa raste kishin tejkaluar ndjeshëm të drejtën për të qëndruar për 90 ditë në Gjermani. Si rezultat, janë iniciuar hetimet penale ndaj tyre.

Përpunimi i mëtutjeshëm i rastit është kryer nga inspektorati i policisë kufitare në Passau për arsye të kompetencës. Të akuzuarit janë të lirë pas përfundimit të masave të nevojshme. Ata janë urdhëruar të dëshmojnë me shkrim largimin e tyre nga zona e Shengenit.