08:46 / E Shtunë, 12 Maj 2018 / indeksADMonline

28 milionë euro buxhet, barna s’ka

Institucionet publike shëndetësore edhe më tutje vazhdojnë të përballen me mungesë të theksuar të barnave, pavarësisht se për këtë qëllim nga buxheti i shtetit janë ndarë më shumë se 20 milionë euro. Aktualisht janë duke munguar insulinat, barnat për kimioterapi, por edhe ato më elementare që janë në listë esenciale

Institucionet publike shëndetësore po ballafaqohen me mungesë të disa barnave nga lista esenciale, të cilat janë të nevojshme për trajtimin e pacientëve. Buxheti i ndarë për këto barna po del të jetë i pamjaftueshëm për përmbushjen e të gjitha kërkesave.

Zyrtarë për Informim në Ministrinë e Shëndetësisë kanë thënë për gazetën “Zëri” se 28 milionë euro, të cilat janë ndarë për furnizim me barna të listës esenciale, nuk janë të mjaftueshme për përmbushjen e të gjitha nevojave për barna.

Edhe drejtorë të spitaleve të përgjithshme në Kosovë janë shprehur se furnizimet me barna nuk po bëhen me kohë dhe se po ka mungesa të tyre. Ndërsa mungesa e këtyre të fundit tashmë po i shtyn pacientët që t’i blejnë vetë ato në barnatoret private.