08:01 / E Hënë, 09 Tetor 2017 / indeksADMonline

3 milionë euro për rrugën e Suhadollit

Me vendimin e KQZ-së që banorët e Suhadollit, një fshat në veri të Mitrovicës, të jenë pjesë e listave zgjedhore me jugun e Mitrovicës komuna jugore ka nisur të investojë në atë pjesë.

Suhadolli në veri të Mitrovicës, të cilën zyrtarët komunalë të jugut e quajnë paralagje të Mitrovicës së Jugut, brenda pak ditësh do ta ketë të rregulluar e të kompletuar tërë infrastrukturën dhe problemin e ujit për pije, shkruan sot, gazeta Zeri.

Në Suhadoll, të mërkurën, ka filluar rregullimi i rrugës i dhe kanalizimit, projekte këto që priten të përfundojnë brenda pak ditësh. Kryetari i Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, pasi që i përgëzoi përfaqësuesit e lagjes për përfundimin me sukses të projektit për furnizim me ujë për pije të të gjitha shtëpive, i cili do të përurohet shumë shpejt, tha se punët për rregullimin e rrugës me dy shtresa asfalti dhe të kanalizimit tashmë kanë filluar dhe se pritet të përfundojnë për pak ditë.

“Ju të nderuar qytetarë, brenda një kohe shumë të shkurtër do ta keni të rregulluar ashtu si duhet rrugën dhe kanalizimin, për të cilat keni pritur një kohë të gjatë dhe keni pasur telashe, sidomos me kanalizim. Kur kësaj t’ia shtojmë edhe përfundimin e projektit të ujësjellësit që tashmë ka përfunduar, atëherë mund të themi se cilësia e jetës tuaj këtu do të ndryshojë shumë për të mirë. Do të bëjmë çmos që në të ardhmen në mjedisin tuaj të realizojmë edhe projekte të tjera me rëndësi, e sidomos ato që sjellin të ardhura dhe punësim”, tha kryetari Bahtiri.