15:00 / E Hënë, 28 Tetor 2019 / indeksADMonline

3 vjet e gjysmë burgim- shkaktarit të aksidentit në Bërnjak, ku vdiqën 5 persona

Gjykata Themelore në Rahovec e ka shpallur fajtor Durak Hoxhajn, për veprën penale: ”Rrezikim i trafikut publik”, pasi në korrik të këtij viti shkaktoi në Bërnjak, aksident me fatalitet.

Sipas vendimit të Gjykatës Themelore, Durak Hoxhaj, u dënua me 3 vjet e gjysmë burg, për shkak të aksidentit në të cilin humbën jetën 5 persona, njofton Klan Kosova.

Ndër personat që humbën jetën në këtë aksident, ishte edhe bashkëshortja e Durak Hoxhajt i cili tashmë u shpall fajtor.

Me të përfunduar seancën, para të pranishmëve, Islam Jupolli, babai i të ndjerit nga ky aksident Lulzim Jupolli, duke shprehur mllefin për këtë ngjarje tragjike, e pështyu në fytyrë Durak Hoxhajn, i cili kishte shkakuar aksidentin më 26 korrik.

Klan Kosova për shkak të ndjeshmërisë së rastit ka vendosur të mos e publikojë pjesën ku ndodhë ky incident ku midis tjerash babai i njërit prej viktimave i thotë Durak Hoxhajt se kjo punë nuk do mbetet me kaq.