12:09 / E Martë, 02 Mars 2021 / OSH

30 ditë paraburgim për policin kosovar që dyshohet se ka organizuar lojëra të fatit

Gjykata Themelore në Gjilan ka miratuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 (tridhjetë) ditë të pandehurit B.R.

Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri nga përfitimi i kundërligjshëm pasuror për vete ose për tjetrin i ka shkaktuar dëm ekonomisë së vendit, përkatësisht qytetarëve, duke cenuar sigurinë juridike, pasi nuk ka përfillur një ligj të autoritetit vendor dhe pa të drejtë ka organizuar, mundësuar apo ndihmuar veprimtarinë e kundërligjshme, aq më tepër kur kemi parasysh se ai është zyrtar policor dhe është i vetëdijshëm se çdo lloj organizimi i lojërave të fatit është i kundërligjshëm.

Me këto veprime, i pandehuri B.R., dyshohet se ka kryer veprat penale: “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm” dhe “Mashtrimi”, vepra të sanksionuara me Kodin penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e përgjithshëm, pas mbajtjes së seancës dëgjimore, me qëllim të sigurimit të kushteve sa më normale për zhvillimin e procedurës penale ka caktuar masën e paraburgimit, duke konsideruar se po që ai gjendet në liri do të fshehë, asgjësojë apo ndikojë në dëshmitarët.

Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit.​