09:49 / E Martë, 19 Janar 2021 / OSH

33 veta vdiqën pasi morën vaksinën kundër Covidit, deklarohen autoritetet norvegjeze

33 persona mbi moshën 75 vjeç vdiqën në Norvegji pasi u vaksinuan për Covidin-19, por autoritetet shëndetësore të këtij vendi thanë se nuk ka “lidhje direkte” midis vdekjes së tyre dhe injeksionit.

“Të gjithë këta persona kanë pasur sëmundje të rënda. Është fare e qartë se koronavirusi është shumë më i rrezikshëm për shumicën e pacientëve sesa vaksina. Nuk ka vend për alarm”, deklaroi Steinar Madseni, drejtor i Agjencisë Mjekësore të Norvegjisë.

Por, ai pranoi se efektet e lehta anësore të vaksinës mund të çojnë pacientë të caktuar në një gjendje më të rënduar të sëmundjes që vuajnë, duke ua lënë në dorë mjekëve që të vendosin për njerëz të caktuar nëse duhet ta bëjnë apo jo vaksinën.

Zyrtarët norvegjezë nënvizuan se në azile vdesin 400 njerëz çdo javë.