11:09 / E Mërkurë, 23 Tetor 2019 / indeksADMonline

39 viktima gjenden brenda një kamioni në Britani, i dyshuar një 25 vjeçar irlandez

Trupat e 39 personave janë gjendur brenda një kamioni në qytetin e Essex, në Britaninë e Madhe. Viktimat janë burra dhe gra, ndërsa një prej tyre është adoleshent. Policia ka arrestuar shoferin e kamionit, një 25 vjeçar nga Irlanda e Veriut, i cili dyshohet si autor i ngjarjes.

Raportohet se kamioni ka mbërritur në ishull nga Bullgaria dhe viktimat u zbuluan teksa qëndronte në parkun industrial të Waterglade.

Policia thotë se ka nisur menjëherë hetimet për identifikimin e viktimave, por procesi parashikohet të jetë i gjatë.

Shefi i Policisë, Andrew Mariner është shprehur: “Ky është një incident tragjik me një numër të madh njerëzish që kanë humbur jetën. Hetimet tona janë duke vazhduar për të kuptuar se çfarë ka ndodhur. Jemi në proces të identifikimit të viktimave. Megjithatë unë parashikoj që ky mund të jetë një proces i gjatë”.