08:37 / E Diele, 05 Korrik 2020 / indeksADMonline

4 këngë që i keni kënduar pa e ditur ç’po këndonit

Nëse ju ka ndodhur t’ju kapë nostalgjia në këto ditë të nxehta vere dhe t’i ktheheni disa këngëvë të vjetra që keni dëgjuar dhe kënduar kohë më parë , mund të keni vënë re që shumë prej tyre i këndonit pa ua ditur kuptimin. Disa shembuj:

Daddy Yankee – Gasolina

Nuk ka njeri që nuk e njeh dhe nuk e kërcen këtë këngë. Megjithatë e keni dëgjuar ndonjëherë me kujdes tekstin e këngës? Po ju sugjerojmë t’i ktheheni dhe ta shihni me vëmendje, sepse Daddy Yankee nuk kishte ndonjë marrëveshje me ndonjë firmë që tregtonte benzinë. Nuk ju tregojmë gjë tjetër përveç faktit që nuk ishte benzinë ajo që i pëlqente asaj vajzës. Pjesën tjetër të matematikës do t’ju duhet ta bëni vetë.

Flo Rida- Whistle

Ndonjëherë na duket e mrekullueshme se sa shumë rritet njeriu edhe në pak vite sepse nuk kemi asnjë shpjegim logjik, pse truri ynë “i pazhvilluar” mendonte se një burrë rreth 100 kile me tatuazhe dhe muskuj, mund të ishte duke kënduar një këngë që pyet një vajzë nëse di të fishkëllejë. Pas kësaj ai thotë që nëse nuk di, mund t’i mësojë ky, por ne sërish s’kuptuam gjë. Në këto raste thuhet më mirë që e morëm vesh vonë sesa mos ta merrnim vesh kurrë.

Rihanna – What’s my name?

Po kjo nuk e di emrin e saj apo si? Na vjen keq t’u themi se Rihanna nuk ka probleme me kujtesën, por ajo do ta dëgjojë emrin e saj nga goja e dikujt tjetër me gjysmë zëri, teksa asnjëra palë nuk ka më vetëkontroll. Mos thamë më shumë seç duhet? Kthehuni dhe dëgjoni edhe njëherë këngën nëse doni të kuptoni pse 1 dhe 1 bëjnë 2.

The Weeknd – Can’t feel my face

Ndoshta ky është i vetmi rast në këtë listë që ne e kemi dëgjuar tekstin dhe kemi menduar që e kemi kuptuar. Ndërkohë që The Weeknd këndon dhe kërcen në skenë këtë këngë duke kaluar edhe në falceto, ne mendojmë se ai i ka bërë një dedikim kaq të bukur dashurisë së jetës. Mirëpo nuk është ky rasti. Epo varet, a konsiderohet kokaina dashuria e jetës?