11:59 / E Martë, 10 Prill 2018 / indeksADMonline

4 mënyra të thjeshta për t’i kaluar krizat nga migrena

Pavarësisht përparimit të shkencës dhe mjekësisë për shumë sëmundje, ka disa që akoma janë të pa shërueshme.

Një prej tyre është migrena, e cila është përhapur shumë kohët e fundit dhe prek njerëzit që kanë ngarkesë në punë, tension dhe çështje të rënda emocionale.

Është e habitshme, por shkaku i saktë i migrenës është ende i panjohur. Këto dhimbje koke të forta, shpesh herë nga njëra anë dhe të shoqëruara me përzierje, si dhe ndonjëherë pamje të vijave zig-zage dhe ndjeshmëri shumë të madhe ndaj dritës dhe zhurmës, duhet të shkaktohen nga veprimtaria jonormale e trurit.

Ndonëse nuk është një sëmundje e rrezikshme, migrena shkakton shumë dhembje te njerëzit që prek.

Ja cilat janë katër metodat më të thjeshta që do t’ju ndihmojnë në kalimin e krizave të migrenës.

Përdorimi i pikanteve

Specat djegës mund të jenë një alternativë e mirë për të larguar dhembjen që sjell një krizë migrene, kjo për shkak se ato janë qetësues të dhembjeve. Një sasi e caktuar specash djegës duhet të përdoret gjatë krizës, por jo në çdo vakt.

Uji i ftohtë

Zhytini të dyja duart në ujë të ftohtë për sa më gjatë të mundeni. Kjo mund t’ju ndihmojë ta kaloni dhembjen shpejt. Hapini dhe mbyllini grushtet gjatë kohës që i keni duart të mbyllura në ujë.

Dhoma e errët

Përpiquni që të qëndroni në një dhomë të errët gjatë kohës kur ju kap një krizë migrene. Drita mund t’ju provokojë dhembjen e përgjithshme dhe atë të kokës.

Kafeina

Një sasi e madhe e kafeinës mund të jetë e pashëndetshme, por një sasi e moderuar mund të veprojë si qetësues dhembjeje për ata që vuajnë nga migrena. Provojeni gjatë kohës kur keni dhembje dhe do ta ndjeni ndryshimin.