75 Mall Live Search
14:53 / E Premte, 10 Korrik 2026 / P M

5-vjeçarja mbetet e vetme në stacionin më të madh të Polonisë, treni niset me familjen e saj

Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në stacionin hekurudhor Warsaw West, stacioni më i madh i trenave në Poloni, ku një vajzë 5-vjeçare mbeti e vetme në stacion pasi treni me familjen e saj u nis pa të.
Pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë momentin kur një burrë, që besohet të jetë babai i vajzës, zbret nga treni, shkarkon bagazhet dhe e vendos të bijën në stacion. Më pas ai rikthehet në vagon për të marrë sendet e tjera të familjes, por në ato çaste dyert e trenit mbyllen dhe mjeti niset në drejtim të stacionit Warsaw Central, raporton TVP World.

E mbetur vetëm, vogëlushja shihet duke vrapuar pas trenit në përpjekje për ta arritur. Ndërsa treni largohet me shpejtësi, ajo ndalet në platformë, e hutuar dhe pa ditur se çfarë të bëjë.

Pak çaste më vonë, një kalimtar i afrohet vajzës, e qetëson dhe i kërkon të presë, ndërsa shkon të kërkojë ndihmë. Ai rikthehet së bashku me dy efektivë të policisë, të cilët marrin në kujdes fëmijën deri në ribashkimin e saj me familjen.

Ngjarja është bërë virale në rrjetet sociale, duke nxitur reagime të shumta mbi rëndësinë e kujdesit ndaj fëmijëve gjatë udhëtimeve me transport publik.