16:19 / E Martë, 19 Mars 2019 / indeksADMonline

500 mijë eurot e premtuara nga Veseli për Ligën e Kombeve ende nuk i janë dorëzuar FFK-së

Kryeparlamentari i Kosovës, Kadri Veseli të hënën premtoi 1 milionë euro premi për futbollistët e Kosovës në rast të kualifikimit në kampionatin evropian.

Mirëpo, një premtim të tillë Veseli e kishte dhënë edhe para fillimit të Ligës së Kombeve., shkruan Indeksonline.

Pasi Kosova fitoi këtë garë, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Kujtim Gashi kishte kërkuar nga qeveria që Kombëtares së Kosovës t’i ndahen 500 mijë euro për këtë sukses.

Ndërsa qeveria në mënyrë unanime e miratoi këtë kërkesë. Indeksonline ka kontaktuar me sekretarin e MKRS-së, Veton Firzin, i cili konfirmoi se mjetet do të alokohen në Federatën e Futbollit të Kosovës.

Kryeparlamentari i Kosovës në vizitën që i bëri dje Kombëtares tha se mjetet e premtuara më herët tashmë kanë shkuar në destinacionin e duhur.

Megjithatë, burime të Indeksonline brenda FFK-së bëjnë me dije se mjetet ende nuk janë derdhur në llogarinë e federatës.

Tash kur kanë kaluar katër muaj nga përfundimi dhe suksesi i Ligës së Kombeve premtohet edhe një shumë më e madhe për kualifikimet e Euro 2020. /IndeksOnline/