16:12 / E Martë, 11 Dhjetor 2018 / indeksADMonline

Ymeri: LDK dhe VV e kanë kundërshtuar delegacionin për dialog për arsye të veta politike

Një javë më parë Partia Socialdemokrate, Nisma dhe Alternativa, kanë paraqitur rezolutën dhe tekstin e ligjit për themelimin e delegacionit shtetëror për dialogun me Serbinë, ndërsa ende kjo nuk ka marrë mbështetjen e tri partive parlamentare.

Përderisa PDK ende nuk ka dhënë qëndrimin e saj, dy partitë tjera opozitare Vetëvendosja dhe LDK-ja e kanë kundërshtuar këtë nismë.Deputeti i PSD-së, Visar Ymeri, ka thënë se VV dhe LDK e kanë kundërshtuar në mënyrë të përgjithësuar këtë nismë për arsye të veta politike.

Ymeri ka thënë se ka dëgjuar se krijimin e këtij delegacioni po e pengon edhe presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, i cili vitin e fundit ka përfaqësuar Kosovën në këtë dialog.

Sa i përket rezolutës, Ymeri tha se ajo e themelon delegacionin shtetëror, si organin ekskluzivisht përgjegjës për mbarëvajtjen e procesit të dialogut, si dhe i ravijëzon qartë parimet udhërrëfyese të dialogut me Serbinë.

Procesi i dialogut sipas Ymerit do të jetë i pranueshëm vetëm nëse përfundimi i tij do të ketë njohje reciproke, anëtarësimi i Kosovës në OKB-së, përshpejtimin e proceseve integruese të Republikës së Kosovës në BE dhe në NATO. Ai ka bërë të ditur se delegacioni do të kryesohet nga një përfaqësues i pozitës dhe nga një i opozitës, ndërkohë që në delegacion një vend është i rezervuar edhe për shoqërinë civile.

Ymeri ka treguar cilat janë detyrat dhe përgjegjësitë e delegacionit.

Sipas tij, delegacioni shtetëror e drejton procesin e dialogut me Serbinë, përfaqëson Kosovën në këtë dialog, miraton strategjinë e përgjithshme negocuiese si dhe strategjitë e veçanta për secilën temë të dialogut, bashkërendon agjendën e dialogut me platformën shtetërore me dakordancë me lehtësuesit dhe ndërmjetësuesit e dialogut, bashkërendon takimet me krerët e tjerë institucional kurdo që ata konsiderohen të nevojshme pjesëmarrja e tyre në dialog, raporton komisionit mbikëqyrës të Kuvendit pas çdo takimi me delegacionin e Serbisë, miraton pozicionet fillestare negociuese të Kosovës për secilën temë dhe koordinon veprimet me institucionet tjera.

Brenda dialogut sipas Ymerit procedurat e vendimmarrjes janë paraparë të jenë konsensuale, pra me pajtueshmërinë e të gjitha anëtarëve me të drejtë vote. Kurse, për ligjin për delegacionin shtetëror Ymeri tha se ka rëndësi të madhe, pasi sipas tij në të përveç se sanksionohen dhe qartësohen kompetencat vendimmarrëse sa i përket dialogut me Serbinë në mes të institucioneve të ndryshme të cilat do të jenë pjesërisht të përfshira në të, e ngrit nivelin e përgjegjësisë dhe seriozitetin e dialogut.

Ndërsa, nënkryetari i PSD-së Dukagjin Gorani, tha se këto projekt-dokumente janë të qartësuara dhe hasin rrugë për përfaqësim të drejtë dhe të balancuar në proces të dialogut.

Ai bëri të ditur se dokumentet në fjalë tashmë ua kanë paraqitur të gjitha partive politike, teksa shtoi se disa prej tyre kanë shfaqur hapur kundërshtitë e tyre në këtë aspekt. Tutje, Gorani u shpreh se këto dy dokumente e përkufizojnë delegacionin shtetëror si entitetin e vetëm që ka mandat negociues në proces.