13:30 / E Mërkurë, 16 Tetor 2019 / indeksADMonline

51 persona arrestohen pas dhunës, në Kataloni

Gjatë demonstratave në Kataloni, 51 persona u arrestuan pas dënimeve me burgim të nëntë liderëve katalanë, tha sot Qeveria e Spanjës.

Sipas Ministrisë së Brendshme, 29 persona u arrestuan në provincën e Barcelonës, 14 në Tarragona dhe tetë në Lerida.

Dhuna e mbrëmshme plagosi 72 policë rajonalë dhe kombëtarë, disa prej të cilëve kanë thyerje eshtrash, tha ministria.

Demonstratat kundër dënimit të drejtuesve katalonë me nëntë deri në 13 vjet burgim për rolin e tyre në përpjekjen e shkëputjes së vitit 2017 do të vazhdojnë edhe sot.

Sipas Qeverisë, linja e trenit ekspres ndërmjet Barcelonës dhe Francës ishte ndërprerë për shkak të sabotimit.

Marshimet, do të fillojnë sot nga pesë qytete katalonase që synojnë të arrijnë në Barcelonë të premten, kur është paralajmëruar dita e grevës së përgjithshme dhe demonstrimit masiv.