13:08 / E Martë, 04 Dhjetor 2018

‘60 për qind e bizneseve nuk kanë pasur asnjë përfitim nga CEFTA deri tani’

Pavarësisht vërejtjeve nga drejtues të Komisionit Evropian, autoritetet e Kosovës janë këmbëngulës për masat tarifore ndaj produkteve me origjinë nga Serbia dhe Bosnja.

Kështu sot, në “Javën 2018” të CEFTA në Prishtinë, ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala tha se Kosova është duke zbatuar CEFTA-në që nga viti 2006 dhe po ashtu detyrimet që dalin nga kjo marrëveshje. Ai po ashtu ka bërë të ditur faktin se tre nga shtatë vendet e CEFTA-s nuk e njohin Kosovën.

Ministri Shala ka treguar mënyrën e barrierave të cilat ushtrohen nga Serbia ndaj Kosovës dhe sipas tij janë disa çështje në CEFTA që shërbyesit publikë nuk mund t`i zgjedhin.

“Për shembull, importet ose eksportet tona, të cilat kalojnë përmes fqinjit tonë, i cili nuk e njeh vendin tonë, ndalen dhe atyre u kërkohet të dorëzojnë certifikatat nacionale të eksportit ose importit të atij vendi. Kjo për shkak se ata e konsiderojnë vendin tonë si pjesë të tregut të tyre të brendshëm. Apo fakti që ai vend nuk i njeh tabelat e veturave tona apo nuk i pranon certifikatat e eksportit të vendit tonë për shkak se ato dokumente mbajnë emrin tonë kushtetues dhe flamurin. A mund këto probleme të zgjidhen nga shërbyesit publik? Jo. A po shkelin këto probleme marrëveshjen? Po”, ka thënë Shala.

Pavarësisht gjithë këtyre pengesave, ministri Shala ka treguar se Kosova i ka ngritur këto çështje para CEFTA-s.

“Megjithatë, as mekanizmi për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve e as strukturat e saj nuk kanë qenë në gjendje të sigurojnë një zgjidhje miqësore. Prapë, arsyeja kryesor për këtë dështim është i njëjtë me shkaktarin kryesor të problemit. Të jemi të sinqertë me vetveten. Mosnjohja e Kosovës është pengesa më e madhe jo-tarifore në CEFTA, dhe po ashtu është barriera më e madhe ndaj lehtësimit të transportit”, tha ai.

Ndërsa, David Cullen nga Komisioni Evropian ka thënë se taksa ndaj mallrave me origjinë nga Serbia dhe Bosnja, e ka vënë ‘në hije’ punën e Kosovës në kryesimin e CEFTA-s për 2018. Ai shtoi se si pasojë e kësaj mase, jo të gjitha palët e CEFTA-s janë këtu në këtë “Javë” dhe nuk mund të merren vendime të përbashkëta të CEFTA-s. Ai tutje ka thënë se Kosova ka shkelur parimet e CEFTA-s.

“Masat e fundit që janë vënë nga Kosova, janë kundër rregullave dhe parimeve të CEFTA-s.  Vetë CEFTA është përkushtuar për të përgatitur një raport për të gjitha ankesat tregtare dhe unë inkurajoj të gjitha palët e CEFTA-s të marrin pjesë në këtë punë. Mos marrëveshjet tregtare ndodhin dhe ne e kuptojmë se ka barriera të vërteta që Kosova po ballafaqohet me to, por duhet të adresohen në forume adekuate që përfshinë edhe kornizën e CEFTA-s. Mos marrëveshja e fundit thekson nevojën që CEFTA të vë në funksion masa që do të sigurojnë një zgjidhje adekuate të mos marrëveshjeve tregtare”, ka thënë Cullen.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka thënë Serbia nuk ka respektuar marrëveshjen e CEFTA-s dhe kjo e fundit asnjëherë nuk ka arritur që të zgjidhë këto probleme. Sipas tij, nuk është vetëm Serbia dhe Bosnja që kanë shkelur marrëveshjen e CEFTA-s.

“Është viti 2018 dhe ne ende kemi çështje që i kemi ngritë në vitin 2007, dhe asnjë mekanizëm, as rajonal, as evropian nuk ka arritur t’i zgjidhë. Dhe kjo tash ka shtyrë që bizneset të jenë shumë kundër përfshirjes tonë në CEFTA ose edhe me kërkesa radikale për dalje nga CEFTA. 60 për qind e bizneseve nuk kanë pasur asnjë përfitim nga CEFTA deri tani”, theksoi Rukiqi.

Ndryshe, në “Javën” e CEFTA-s që po mbahet këto ditë në Prishtinë, nuk po marrin pjesë Serbia, Bosnja dhe Moldavia.