75 Mall Live Search
16:36 / E Hënë, 23 Qershor 2025 / FR

Prishtinë: 650 gram fara të dyshuara kanabisi kapen në postë, identifikohet një i dyshuar

Zyrtarët doganorë në Zyrën për Zhdoganimin e mallrave postare në Prishtinë kanë ndaluar një dërgesë të ardhur nga Gjermania, e cila dyshohet se përmbante farëra kanabisi të destinuara për mbjellje.

Gjatë kontrollit të rregullt fizik të pakos, që ishte deklaruar të përmbante mallra ushqimore dhe fara “bio për konsum”, doganierët kanë konstatuar praninë e një sasie prej 650 gram farash që ngjajnë me ato të bimës së kanabisit.

Pas ngritjes së dyshimeve, rasti është referuar menjëherë tek Njësiti Anti-Drogë i Policisë së Kosovës, i cili ka ndërhyrë në vendin e ngjarjes. Personi që kishte shkuar për të marrë pakon është identifikuar dhe ndaluar nga policia për procedura të mëtejshme.

Pakoja me përmbajtje të dyshuar është sekuestruar dhe është dorëzuar për ekzaminim dhe hetime të mëtejshme.

Dogana e Kosovës dhe Policia e Kosovës kanë theksuar përkushtimin e tyre për të zbatuar ligjin dhe për të parandaluar futjen e mallrave të ndaluara në territorin e vendit, përmes bashkëpunimit të ngushtë ndërinstitucional./IndeksOnline/