17:06 / E Enjte, 30 Janar 2020 / indeksADMonline

7,000 pasagjerë të ngujuar në anijen italiane, dyshohet për një çift me koronavirus

Një anije e madhe pasagjerësh që po lundronte në Mesdhe ka ankoruar në portin e qytetit italian Civitavvechia për shkak të temperaturës së lartë trupore të vërejtur te një çift kinez që gjendej brenda mjetit lundrues, raporton AA.

Sipas agjencisë italiane të lajmeve ANSA, në anijen e firmës Costa Crociere gjendeshin 7.000 pasagjerë.

Çifti kinez i dyshuar për prani të koronavirusit të ri (2019-nCoV) fillimisht është trajtuar në infirmierinë e anijes, ndërsa më pas është dërguar në Institutin Kombëtar të Sëmundjeve Infektive Lazzaro Spallanzani në Romë.

Në kuadër të masave preventive, dhoma e çiftit kinez dhe dhomat e pasagjerëve në afërsi janë zbrazur dhe vendosur në karantinë, transmeton IndeksOnline.

Siç pohohet, në anije gjendeshin 751 pasagjerë kinezë.

Ndryshe, koronavirusi deri më tani ka marrë jetën e të paktën 170 njerëzve në Kinë, ndërsa mbi 7.000 janë infektuar. Po ashtu, më shumë se 60.000 njerëz kanë qenë nën vëzhgimin mjekësor.

Që nga shpërthimi i epidemisë në fund të vitit të kaluar, Kina e ka vendosur qytetin Wuhan, ku u shfaq virusi, nën një bllokim në përpjekje për ta parandaluar përhapjen.

Përveç Kinës, raste të virusit janë regjistruar edhe në Japoni, Korenë e Jugut, Tajlandë, SHBA, Singapor, Francë, Gjermani, Vietnam dhe Kanada.

Udhëtarët nga Kina po kontrollohen në aeroportet në mbarë botën, ndërkohë që disa linja ajrore kanë pezulluar fluturimet për në Wuhan.