00:47 / E Mërkurë, 08 Prill 2020

8 nga 19 rastet e reja me COVID19, janë nga fshati Smrekonicë i Vushtrrisë

19 raste të reja janë konfirmuar me COVID19 në Kosovë, duke shkuar kështu numri i të infektuarve në 184.

Ndërsa bëhet e ditur se tashmë edhe një pacient i prekur nga ky virus ka vdekur, duke shkuar në 5 numri i viktimave, ndërsa kemi 6 pacientë të shëruar, shkruan Indeksonline.

Në mesin e rasteve që kanë rezultuar pozitiv, janë edhe 8 nga komuna e Vushtrrisë.

E, përmes një postimi të bërë në Facebook, drejtori i Shëndetësisë në komunën e Vushtrrisë, Sylejman Meholli ka thënë se të gjitha këto raste të fundit janë nga fshati Smrekonicë, s’ka asnjë në qytet të Vushtrrisë.

Ky është postimi i tij:

Janë 8 raste të reja të konfirmuara sonte pozitiv me Coronavirus, të gjitha nga fshati Smrekonicë, Vushtrri. Pra nuk ka rast në qytet të Vushtrrisë, ky është njoftim zyrtar i IKSHPK i dërguar Shtabit Emergjent lokal.

Apelojmë tek të gjithë qytetarët që të rrijnë në shtëpi, të ruajnë distancën dhe kur të kenë nevojë të domosdoshme për të dalur, të bartin maska dhe dorëza.

Nesër bëhen publike masat e reja nga Shtabi Emergjent Komunal.