17:24 / E Martë, 18 Qershor 2019 / indeksADMonline

86 gjimnazistë veshin uniformën e FSK-së: Jemi Forca e Sigurisë, ne ia mbrojmë vlerat lirisë!

Po përgatiten që në një të ardhme të shpejtë të jenë në shërbim të shtetit të tyre. Janë këta nxënësit e shkollave të mesme të Kosovës, të cilët u bën pjesë të “Kampit Rinor 2019” mbajtur nga Forca e Sigurisë së Kosovës.

Gjimnazistë të ndryshëm nga Kosova për disa ditë radhazi veshën uniformën e FSK-së, teksa janë rreshtuar duke thirrur “Jemi Forca e Sigurisë, ne ia mbrojmë vlerat lirisë”, përcjellë Indeksonline.

Kapiten Alban Hamza nga FSK është përgjegjës për këtë javë, për nxënësit e shkollave të mesme, i cili tregon më shumë rreth këtij aktiviteti.

Ky kamp ka filluar ditën e hënë, me datë 10 dhe po vazhdojnë deri në ditën e premte. Gjatë kësaj kohe, këta janë adaptuar me të gjitha rregullat dhe disiplinën e një ushtaraku. Këta gjatë një dite, zakonisht zgjohen herët në mëngjes, në orën 6:30 ku i rregullojnë dhomat, pastaj e kanë fitnesit fizik, duke vazhduar me mëngjesin. Ditën e hënë kemi pranuar 86 nxënës, të të gjitha shkollave të Kosovës, ku këta prej kësaj dite kanë vazhduar me ligjërata, si kodi diciplinor, kodi i mirësjelljes, me harta, gjithashtu edhe me ndihmën e parë.

Këta që nga dita e parë, kanë treguar një seriozitet dhe diciplinë si me qenë edhe më herët ushtarak. Besoj dhe shpresoj që shumë prej tyre, do t’i bashkangjiten Forcës së Ardhshme të Kosovës”.

Albert Istrefi, ushtar në FSK është në cilësinë e instruktorit të ndihmës së parë bazike, thotë që ka vrejt një interesim mjaftë të madh nga gjimnazistët.

“Këta po shprehin një interesim shumë të madh, dhe shpresoj që do të arrijmë t’i jepim disa informacione dhe disa njohuri nga ndihma e parë. Duke pas parasysh që rregullat ushtarake janë më të strikte se civile këta s’kanë hasur në vështirësi të madhe, por janë përshtat me rregullat dhe po kalojnë mirë”.

Gjimnazisti i klasës së 11-të nga Krusha e Madhe, tregon se për këtë kamp ka dëgjuar nga shkolla, ku edhe ai ka pasur të dëshirë të di se si është jeta e një ushtaraku.

“Unë nuk e kam ditur që janë rregullat kaq strikt. Kam pritur që është më e lehtë. Këtu është çdo gjë sipas planit, rregullores dhe është shumë mirë”.

Endrit Talla gjimnazit nga Prishtina, thotë që të jesh pjesë e këtij kampi është knaqësi me pa cilat janë detyrat e një ushtari.

“Kam nderin me vesh këtë uniformë, me përfaqësu Kosovën, si shtet kështu që po shpresoj se edhe në të ardhmen do ta vesh këtë uniformë kurdo qoftë dhe në çfarëdo kohe, në çfarëdo vendi”.

Si gjithmonë femra kosovare është e zoja në të gjitha fushat, si në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, tani edhe në Forcën e Sigurisë së Kosovës kemi shumë ushtare të suksesshme. Edhe nxënësja Festina Thaçi nga Drenasi veshi për herë të parë uniformën e FSK-së, përshkruan këtë ndjenjë që e quan si diçka të veçantë.

“Ishte një eksperiencë për ne dhe në të njëjtën kohë pamë se jeta ushtarake dallon nga të tjerët, jo vetëm që ka kënaqshi dhe përgjegjësi dhe vështirësi”.

Ashtu si Festina edhe Anjeza Duraku nga Rahoveci po e shijon tej mase këtë eksperiencë.

“Jam shumë e kënaqur dhe në të ardhmen mendoj të mbajë një uniformë të vërtetë të një ushtareje të vërtetë”

Ndryshe, para këtyre të rinjve foli edhe nënkolonel Sylejman Cakaj dhe komandanti i Forcave Tokësore, Enver Cikaqi. /Indeksonline/