10:46 / E Shtunë, 10 Korrik 2021 / B O

875 milionë euro gjobë për BMW e VW, Mercedesi shpëton fal “spiunazhit”

Komisioni Evropian ka gjobitur me 875 milionë euro tri kompanitë më të mëdha të prodhimit të veturave në Gjermani – Daimler, BMW dhe Volkswagen – duke i akuzuar se kanë formuar një kartel për të kufizuar garën e teknologjisë për uljen e emetimit të gazit.

Grupi Volkswagen, ku bëjnë pjesë Volkswagen, Audi dhe Porsche, do të paguajë 502 milionë e 362 mijë euro gjobë, ndërsa BMW-ja 372 milionë e 827 mijë euro.

Ndërkhë Daimler – kompani ku bën pjesë Mercedes Benz – u përjashtua nga gjoba, pasi ishte ajo që informoi Brukselin për ekzistencën e këtij “karteli”. Nëse nuk do ta kishte bërë, do të ishte gjobitur me 727 milionë euro.

Komisioni Evropian zbuloi se tri kompanitë kanë punuar së bashku për pesë vjet për të shmangur konkurrencën në tregun e përbashkët evropian. Komisioni tha se anëtarët e kartelit “takoheshin rregullisht” për të diskutuar mbi zhvillimin e teknologjive që eliminojnë oksidin e nitrogjenit nga makinat me motor nafte. Sipas Komisionit, kjo ka bërë që asnjë prej kompanive të mos përpiqej të përmirësohej përtej standardeve të vendosura, duke qenë se kishte një marrëveshje me ata që duhet të ishin konkurrentët e saj.

“Konkurrenca dhe novacioni në menaxhimin e ndotjeve të shkaktuara nga makinat janë thelbësore për Evropën dhe objektivat e saj. Ky vendim tregon se nuk do të ngurrojmë të ndërmarrim masa kundër të gjitha formave të kartelit që vënë në rrezik këtë synim”, tha zëvendëspresidentja e Komisionit Evropian, Margrethe Vestager.

Kjo është hera e parë që Komisioni Evropian konsideron si kartel bashkëpunimin mes konkurrentëve për çështje teknike.