Policia del me një komunikatë për rastin e truprojave të Thaçit

Policia e Kosovës ka dal me një komunikatë për rastin e arrestimit të aktivistit të Lëvizjes “Vetëvendosje”, Veron Hasani dhe sjelljen e pahijshme të truprojave të presidentit, Hashim Thaçi, për të cilin rast raportoi ekskluzivisht Indeksonline.
“Referuar rastit të ndodhur me 03.06.2020 afër Kuvendit të Republikës së Kosovës, ku është ndaluar një person për ‘prishje të rendit dhe qetësisë publike’, Policia e Kosovës lidhur me këtë rast i ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme konform autorizimeve ligjore që ka.
Personit të shoqëruar në stacionin policor i është ofruar trajtimi mjekësor si dhe sipas detyrës zyrtare i është caktuar avokati mbrojtës. Njëkohësisht lidhur me veprimet e zyrtarëve policorë, sipas dispozitave të parapara ligjore është informuar Inspektorati Policor, për trajtim dhe kompetencë të mëtejme të rastit.
Policia e Kosovës bashkëpunon ngushtë me institucionet e drejtësisë dhe Inspektoratin Policor të Kosovës, si dhe mbetet e përkushtuar në respektimin e të drejtave të njeriut në zbatim të detyrave dhe autorizimeve ligjore”, thuhet në komunikatë. /Indeksonline/