Mustafa përkujton Vokrrin: Emri dhe figura e Fadilit, do të jenë motivi i çdo të riu

Kryetari i LDK-së Isa Mustafa me rastin e dyvjetorit të vdekjes së legjendës së futbollit Fadil Vokrri, ka thënë se emri dhe figura e tij do të jenë motiv për çdo të ri që synon të bëjë karrierë të suksesshme në fushën e futbollit, transmeton IndeksOnline.
Ai, ka thënë se Kosova është krenare që pati një talent të rrallë si Vokrri.
Komunikata e plotë:
“Sot, në dy vjetorin e vdekjes përkujtojmë ikonën e futbollit kosovar, Fadil Vokrrin. Vokrri ishte personalitet me vlera të larta njerëzore dhe sportist i nivelit ndërkombëtar. Ai me kontributin e tij të jashtëzakonshëm në promovimin e sportit kosovar në arenën ndërkombëtar, arriti që vendin tonë ta anëtarësoj në dy shtëpitë më të mëdha të futbollit në nivel botëror në UEFA dhe FIFA.
Emri dhe figura e Fadilit do të jenë motivi i cdo të riu që synon të bëjë karrierë të suksesshme në fushën e futbollit.
Kosova është krenare që lindi dhe rriti një talent të rrallë siq ishte Fadili. Lavdi jetës dhe veprës së Fadil Vokrrit”.