Rasti i fundit me COVID-19 në Lipjan, është një grua që punon në PTK

Ka shkuar në 1 mijë e 298 numri i përgjithshëm i të infektuarve me koronavirus në Kosovë.
29 rastet e fundit u konfirmuan orë më parë nga IKSHPK, teksa një nga rastet e konfirmuara është nga komuna e Lipjanit.
Zëdhënësi i komunës së Lipjanit, Diamant Bytyqi ka bërë të ditur për Indeksonline se ky rast është kontakti i një gruaje nga Janjeva që punon në Prishtinë, saktësisht në PTK.
Gjithashtu Bytyqi shtoi se në Lipjan nuk ka raste të reja si të infektuar me COVID-19, që nga data 24 prill.
“Është rast kontakti një grua nga Janjeva që punon në Prishtinë, në PTK. Në Lipjan nuk kemi pas raste të reja që nga 24.04.2020”, tha ai.
Rastet pozitive që u konfirmuan sot janë nga: komuna e Prishtinës 13 raste (sipas vendbanimit: 13 raste Prishtinë), komuna e Obiliqit 8 raste (sipas vendbanimit: 8 raste Milloshevë), komuna e Vushtrrisë 2 raste (sipas vendbanimit: 1 rast Druvar dhe 1 rast Vushtrri) dhe me nga 1 rast vendbanimet: Zhiti-Viti, Lutogllavë-Prizren, Shushicë-Istog, Janjevë-Lipjan, Fushë Kosovë dhe Rahovec./Indeksonline/