75 Mall Live Search
14:04 / E Enjte, 11 Qershor 2020 / indeksADMonline

​Menaxhimi i seancës bëhet “mollë” sherri, në Kuvend

Deputetët e Kuvendit të Kosovës sot janë mbledhur për të diskutuar dhe votuar një numër të madh projektligjesh. Por menaxhimi i seancën nga nënkryetarja Arbërie Nagavci mori kritika nga grupet parlamentare të PDK-së dhe LDK-së.

Deputetët e këtyre partive akuzuan Nagavcin se po i bën “diskriminim pozitiv” deputetit të Vetëvendosjes, Hekuran Murati.

Shefi i Grupit parlamentar të PDK-së, Bedri Hamza, i kërkoi Nagavcit ta udhëheqë seancën në përputhje me rregulloren.

“Zonja nënkryetare, kur ta udhëheqësh seancën udhëhiqe në përputhje me rregulloren. Mos bëni as diskriminim pozitiv, e as negativ”, tha ai.

Kritika nënkryetares të LVV-së i dha edhe shefi i Grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi.

“Mënyra qysh e ka menaxhuar zonja Nagavci besoj se është gabim, por shpresoj që është pa qëllim”, tha ai.

Këtyre akuzave iu ka kundërpërgjigjur nënkryetarja Nagavci, e cila tha se seancën po e drejton me saktësi dhe përpikëri.

“Në momentin që e udhëheq seancën, unë e interpretoj rregulloren me saktësi dhe përpikëri”, tha ai.