Kirurgët amerikanë kryejnë për herë të parë transplantim të dyfishtë të mushkërive te pacienti me COVID-19

Një grua e re, mushkëritë e së cilës u dëmtuan nga COVID-19, i është nënshtruar me sukses transplantimit të dyfishtë të mushkërive, kanë njoftuar të enjten kirurgët në një spital në Chicago.
Në spital besojnë se është hera e parë që është bërë me sukses një ndërhyrje e tillë në një pacient me COVID-19, në SHBA. Sipas CNN, operimi jep shpresë për pacientët me dëmtim të gjerë të mushkërive nga infeksioni me koronavirus.
Pacientja, që është në të njëzetat, ka kaluar gjashtë javë në ventilator. Trupi i saj ka luftuar gjatë me infeksionin e shkaktuar nga koronavirusi.
“Për shumë ditë ajo ishte më e sëmura në repartin për COVID-19, me shumë gjasë në gjithë spitalin”, ka thënë Dr. Beth Malsin, pulmolog dhe specialist i kujdesit intensiv në spitalin “Northwestern Memorial Hospital” në Chicago.
“Shumë herë, ditën e natën, ekipi ynë është dashur të ndërhyjë shpejtë për të ndihmuar atë me oksigjenim dhe për të mbështetur organet tjera të saj për t’u siguruar që ato ishin mjaftueshëm të shëndetshme për të mbështetur një transplantim, nëse ai do të bëhej”, ka shtuar Malsin.
Sipas tij njëri prej momenteve më entuziazmuese ishte kur pacientja doli për herë të parë negativ për koronavirus dhe kështu ekipi mjekësor kishte shenjën e parë se pacientja mund të kishte larguar virusin dhe do të ishte në gjendje për transplantimin jetik.
Më herët këtë muaj, mushkëritë e pacientes ishin shumë të dëmtuara nga sëmundja. Riparimi i mushkërive nuk ishte i mundur, sipas spitalit.
Mjekët e renditën shpejtë gruan për një transplantim të dyfishtë në mushkëri, pasi ajo doli negativ. Operacioni i transplantimit u krye 48 orë më vonë.
“Transplantimi i mushkërive ishte mundësia e vetme e saj për të jetuar”, ka thënë Dr. Ankit Bharat, shef i kirurgjisë torakale.
“Jemi të parët që bëjmë transplantim të suksesshëm të mushkërive te një pacient i shëruar nga COVID-19”, ka shtuar Bharat. “Ne duam që qendrat tjera të transplantimit të dinë që ndonëse procedura e transplantimit mund të jetë teknikisht sfiduese, mund të bëhet me sukses dhe u jep pacientëve me COVID-19 një tjetër mundësi për të jetuar”.