75 Mall Live Search
08:43 / E Hënë, 15 Qershor 2020 / C E

US Open me rregulla të forta anti-Covid, Serena Williams paralajmëron tërheqjen

Pas Rafael Nadal, Nick Kyrgios e Novak Djokovic, që janë shprehur të pasigurt për pjesëmarrjen në US  open (nis më 31 gusht) edhe Serena Williams mund të mos marrë pjesë në grand slam-in amerikan.

Idhulli amerikan i tenisit po mendon të mos luajë në turneun e shtëpisë për shkak të koronavirusit.

Rregullat e rrepta të sigurisë që kanë vendosur organizatorët e turneut nju-jorkez mund ta shtyjnë “panterën e zezë” të marrë këtë vendim.

Tenistët nuk pranojnë sidomos rregullin që duhet të kenë pranë vetëm një person të stafit me vete, çka do të thotë që Serena duhet të qëndrojë të paktën 20 ditë larg vajzës së saj (3 vjeçe).

“Mendoj se Serena dëshiron të luajë në US Open, por me këto rregulla nuk e di se si mund të luajë. Përveç stafit të saj ajo mendon edhe për vajzën, pasi nuk mund të qëndrojë kaq gjatë larg saj. Gjithsesi, ditët në vijim do të marrim një vendim, duke parë se organizatorët e US Open nuk tërhiqen nga ideja e tyre”, tha Patrick Mouratoglou, trajneri i Serena Williams.