Naser Berisha flet për karrierën dhe projektet e reja: Unë shkruaj më shumë sesa që publikoj

Intervistë me kantautorin, Naser Berisha
Naser Berisha është këngëtar i mirënjohur i cili jeton në Gjermani dhe vepron në Kosovë. Muzika ku identifikohet më shumë është ajo pop-rock. Në shkollën e mesme Naseri bashkë me një shok të klasës dhe vëllain e tij ( Shefqet dhe Zeqirja Bajramin) formuan Band-in “PREMIERA”, i cili funksionoi 6 vjet, por në vitin 1993 ky band është shpërbërë.
Naser Berisha ka të publikuar 3 albume: Në vitin 2000 albumin “Jo mos thuaj”, në vitin 2002 albumin “Gjurmët” dhe në vitin 2006 “Nëse shkon”.
Në këtë intervistë për Indeksonline, ai ka treguar për projektet e tij, se a është dëmtuar financiarisht nga Covidi-19, a ka të anuluar ndonjë koncert dhe për gjëra të tjera.

A ke anuluar ndonjë̈ koncert gjatë kësaj periudhe të pandemisë?
Të parezervuara, me data të caktuara nuk kam pasur, por të planifikuara ishin që gjatë muajit prill të jem në Kosovë për disa aktivitete të tjera e gjatë asaj kohe të kem edhe disa mbrëmje “live” me grup.
A jeni dëmtuar financiarisht gjatë periudhës së pandemisë̈?
Po natyrisht, se ato mbrëmje që ishin të planifikuara të mbahen e nuk u mbajtën, janë një lloj dëmi material, por pasi që nuk jetojë vetëm nga muzika, sigurisht se përballohet shumë më lehtë.
A keni mbajtur ndonjë koncert live, në kohë karantine?
Gjatë kohës së karantinës nuk kam pasur koncert live, por gjatë disa intervistave që i kisha live përmes Skype për disa televizione të Kosovës, Shqipërisë e Maqedonisë, kam kënduar edhe disa këngë.
Gjatë kohës kur keni qëndruar në shtëpi për shkak të pandemisë̈, a ke punuar, a ke realizuar ndonjë këngë̈ të re?
Po, gati se për gjatë gjithë kohës kam punuar në studio këtu në shtëpi, dhe kam përfunduar dy këngë për vete, e që tash vetëm po pres që në momentin e parë kur kam mundësi të ja realizoi klipet, edhe t’i publikojë.

Po sa i përket bashkëpunimeve, a do të bëni diçka të tillë gjatë kësaj kohe?
Kam pasur si ide diçka në këtë drejtim, por asgjë nuk është konkrete dhe finale, e deri në këtë moment edhe nuk është e sigurt se a do te ketë diçka në këtë drejtim apo jo.
Cilën këngë̈ tendën e cilëson si më të suksesshmen?
Mendoj se për nga suksesi janë dy këngë të cilat nuk mund t’i ndash nga njëra-tjetra, sepse kurrë nuk dihet se cila nga to dëgjohet më shumë, e këto janë, “Do të doja“ dhe kënga „A më kujton“ (Biondina) të cilat edhe sot pas 20 viteve dëgjohen shumë edhe nga rinia e sotme, e besoj se kjo tregon shumë për vlerat e tyre.
A merreni tani për tani me ndonjë̈ punë tjetër përpos muzikës?
Po pasi që jetojë këtu në Gjermani unë kam edhe punë të rregullt, por njëkohësisht kam edhe studion time këtu ku punojë edhe për artistët e ri, apo edhe vetëm incizime të zhanreve të ndryshme të muzikës sipas kërkesave. Po ashtu i kam edhe tre fëmijë e që kanë nevojë edhe për përkushtim dhe kujdes.
A je duke punuar për ndonjë projekt të ri?
Siç e ceka edhe më lart pra për momentin i kam përfunduar dy këngë, por normal se gjatë gjithë kohës shkruaj këngë dhe tekste për këngët e radhës, sepse edhe ashtu jo çdo këngë që e shkruaj edhe publikohet. Pra unë shkruaj më shumë sesa që publikojë./Indeksonline/