Depozitohet një shumë parash për lirimin e Xhabir Zharkut

Ish-kryetari i Kaçanikut, Xhabir Zharku është liruar pas gati 6 muajsh nga burgu, mëson Indeksonline
Ai ishte arrestuar në dhjetor të vitit të kaluar nën dyshimin se i njëjti kishte keqpërdorur detyrën zyrtare në vitin 2010.
“Më 14.12.2019, Njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit e Ferizajt, ka arrestuar një të dyshuar për përfshirje në veprat penale: ‘Keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar” dhe ‘Ushtrim i ndikimit’”, thuhej në sqarimin e PK-së.
Ndërsa, për lirimin e tij, burime tona tregojnë se janë depozituar një shumë parash.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Ferizaj kishte konfirmuar se Zharku dyshohet se në tetor të vitit 2008 dhe shkurt të vitit 2010 në Kaçanik, si person zyrtar, përkatësisht kryetar i Komunës së Kaçanikut, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për organizatën e biznesit dhe shkaktimit të dëmit të Komunës së Kaçanikut, ka shpërdoruar pozitën e tij zyrtare”, thuhej në njoftim e Gjykatës Themelore në Ferizaj.
Ai në vitin 2011, ishte dënuar nga EULEX-i me 3 vjet burgim për veprat penale “detyrim” dhe “armëmbajtje pa leje”, ndërsa pas kësaj ishte arratisur nga Kosova, ku kishte jetuar në Suedi e në disa raste kishte marrë pjesë në organizime të institucioneve të Kosovës.
Në shtetin skandinav ai kishte jetuar për gati pesë vjet e gjysmë, derisa më 7 qershor të vitit 2018, ai ishte kthyer në Kosovë, pasi që kishte kaluar afati i ekzekutimit të dënimit ndaj tij. /Indeksonline/