Kadaj – Bujupi tregon kohën kur ishte refugjate në Shkodër!

Deputetja e AAK-së, Donika Kadaj – Bujupi, ka kujtuar kohën kur ishte refugjate në Shkodër, pasi u u detyrua të braktiste shtëpinë dhe vendin e tyre, kjo pas gjenocidit nga Serbia 21 vite më parë.
Ajo ka përshkruar qëndrimin në fabrikën e këpucëve dhe punën me mjekët, shkruan IndeksOnline.
Ajo tregoi edhe gëzimin kur së bashku me familjen e saj morën vsh lajmin se lufta mori fund.
“Dhe kështu ndjenjat e emocionet i hodhën të gjithë në ujë. Edhe mua. Isha e lodhur, e rënduar nga shtatëzania, por më shumë e molisur nga pritja. Ashtu e dërrmuar isha plot shpresë. Se e ardhmja dukej e ndritur”.
Postimi i plotë:
Më kujtohet si sot, isha refugjate në Shkodër. Jetoja në fabrikën e këpucëve, e cila ishte e mbsushur me shtretër për fjetje – ishte kamp. Unë punoja me Mjekët pa Kufi, në anën tjetër të kufirit nga shtëpia ime. Ishte kufi i mbyllur atëherë. Por luftohej që ai të hapej. Dhe ne këtë prisnim. Që të hapej. Të ishim të lirë.
Kur nisesha për punë Dardanin e ruante nana, e Doruntina ishte me mua ( isha shtatëzënë). E kujtoj e përjetoj sikur sot këtë ditë, momentin, kur në ankth pyesnim se çfarë do të ndodh, e prisnim që të ndodh ajo që e donim.
Ishim te Liqeni këtë ditë. Me krejt ekipin. Në pritje. Dhe aty e kuptuam se lufta mori fund, se okupatori kishte ikur, kufiri do të hapej. E më e rëndësishmja: Ne ishim të lirë. Qanim, qeshnim, gëzoheshim e mallëngjeheshim, edhe besonim edhe dyshonim. Secila ndjenjë ishte e vërtetë. Sepse lajmi ishte i vërtetë.
Dhe kështu ndjenjat e emocionet i hodhën të gjithë në ujë. Edhe mua. Isha e lodhur, e rënduar nga shtatëzania, por më shumë e molisur nga pritja. Ashtu e dërrmuar isha plot shpresë. Se e ardhmja dukej e ndritur.
21 vite pas Dardani dhe Doruntina vazhdojnë betejat e jetës, studiojnë për drejtësi. Kemi mbërritur larg. Por duhet të ecim akoma. Sikur fëmijët e mi vazhdon edhe shpresa për një Kosovë më të mirë. Besoj fuqishëm që Dardani, Doruntina, e shumë të rinjë do të vazhdojnë ta bëjnë Kosovën më të mirë. Do t’ia dalin aty ku ne dështuam. Do ta jetësojnë ëndrrën tonë, tuajen e të tyren për një Kosovë qe e duam!
Urime Istog, sot është dita jote! Faleminderit cdo ushtari te UCKse Faleminderit SHBA dhe NATO