Kapiteni i Dritës, Limani: Forma e jonë s’është rastësi, ka ende shumë ndeshje të vështira

Kapiteni i Dritës, Ard Limani, beson se ende s’ka përfunduar sa i përket titullit.
Në një prononcim për Indeksonlinen, Limani tha se ka ende ndeshje të vështirë dhe se gabimet e Prishtinës e Ballkanit dje janë vetëm një lehtësim.
“Kur je në pozitën e parë, suksesi më tepër varet nga vetvetja se sa nga të tjerët. Pra, duhet të gabosh sa më pak, mirëpo edhe gabimet e skuadrave tjera na ndihmojnë. Do te jetë vetëm një lehtësim shumë i vogël, mirëpo asgjë nuk na siguron ne rrugën që kemi përpara. Ka ende shumë ndeshje të vështira”, u shpreh ai fillimisht.
Tutje, kapiteni i Dritës shtoi se forma e skuadrës së tij nuk është befasi.
“Forma e Dritës nuk është rastësi. Që nga fillimi kemi besuar që do të jemi të denjë për të luftuar për titullin kampion. Kemi shumë përvojë në skuadër dhe deri tani po e menaxhojmë shumë mirë çdo ndeshje”, tha Limani.
Në fundi, ai tregoi se kush do ta përcakëtojë titullin për këtë sezon.
“Të them të drejtën të 3 ekipet pas nesh i shoh si skuadra të barabarta me gjasa për titullin. Mendoj se ndeshjet direkte midis nesh do të jenë shumë përcaktuese për titullin”, përfundoi Limani.
Skuadra e Dritës për momentin është katër pikë para Prishtinës që gjendët në pozitën e dytë.
Që nga rifillimi i sezonit, skuadra nga Gjilani ka qenë në formë të mrekullueshme./Indeksonline/