Aktakuza ndaj Thaçit e Veselit/ Flasin nga Gjykata Speciale

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK), kanë zgjedhur të mos përgjigjen në detaje në lidhje me pyetjet e mediave rreth aktakuzës së pa konfirmuar ku përmendet Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të tjerë.
IndeksOnline ka nisur një serë pyetjesh në adresë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, mirëpo zyrtarë të saj kanë thënë se nuk mund të përgjigjen përkitazi me aktakuzën.
“Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk mund të ofrojë më shumë info përtej deklaratës së 24 qershorit. Dhomat e specializuara mund të ju ofrojnë informacione të natyrës teknike dhe procedurale. Për këtë qëllim, po ju vë në CC zëdhënësin e Dhomave të Specializuara, Micharl Doyle, i cili do të ju ndihmojë”, ka qenë përgjigja e Christopher Bennett, nga Zyra e Mediave e Prokurorit të Specializuar.
Ndërsa Micharl Doyle nga Dhomat e Specializuara ka zgjedhur të përgjigjet shkurtimisht vetëm në pyetjen se e a mund të ngritët aktakuzë ndaj një personi nëse ai paraprakisht nuk është intervistuar nga prokurori, pasi që Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi publikisht ka thënë se nuk është intervistuar asnjëherë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.
“Është në diskrecionin e Prokurorit të Specializuar kënd do ta intervistojë para ngritjes së aktakuzës”, ka thënë shkurtimisht Doyle për IndeksOnline.
Në deklaratën për shtyp të së mërkurës së Zyrës së Prokurorit të Specializuar ndër të tjera është thënë se Thaçi e Veseli akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura. Në Aktakuzë pretendohet se Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të dyshuar të tjerë janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme. Krimet e paraqitura në Aktakuzë përshijnë qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë.
“Prokurori i Specializuar e gjykon të domosdoshëm nxjerrjen e këtij njoftimi publik për akuzat, për shkak të përpjekjeve të përsëritura të Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit për pengimin dhe sabotimin e punës së DHSK-së. Besohet se Thaçi dhe Veseli kanë ndërmarrë në fshehtësi një fushatë për shfuqizimin e ligjit që krijoi Gjykatën dhe ndryshe kanë penguar punën e Gjykatës në orvatje për t’i bishtnuar drejtësisë, Nëpërmjet këtyre veprimeve, Thaçi dhe Veseli kanë vënë interesat e tyre vetjake mbi viktimat e krimeve të tyre, sundimin e ligjit dhe popullin e Kosovës”, është thënë ndër të tjera në njoftimin për aktakuzë./IndeksOnline/