75 Mall Live Search
13:58 / E Martë, 21 Korrik 2020 / indeksADMonline

Protesta kundër mbylljes së lokaleve të natës në Shqipëri! Protestuesit përplasen me policinë

Pronarë të lokaleve të natës si dhe artistë janë shpërndarë dhe më pas shoqëruar nga policia pas protestës që nisi sot për të kundërshtuar vendimin e Qeverisë për mbylljen e klubeve dhe bareve.

Policia ka ndërhyrë me forcë për të shpërndarë turmën dhe ka shoqëruar disa persona nga protesta. Forcat e rendit dhe Shqiponjat, që nuk kanë kursyer as dhunën kundër personave që kanë shoqëruar për në komisariat.

Nën sloganin “Muzika nuk vret!”, artistët janë mbledhur edhe sot në protestë para Kryeministrisë.

Në vendngjarje kanë qenë të pranishëm edhe qytetarë dhe pronarët e klubeve, bareve e lokaleve, të cilët preken nga Aktit normativ, pasi nuk mund të ushtrojnë aktivitetin pas orës 20:00.

Kreu i i Shoqatës së Lokaleve dhe Restoranteve, Enri Jahaj, tha për iconstyle.al se jane 2 pronarë lokalesh të shoqëruar, njëri prej të cilëve nga një biznes furnizues dhe tjetri pronar lokali.

Jahaj tregoi ky sektor ka qenë një ndër më të penalizuarit si nga klientela, e cila ka rënë pas pandemisë, ashtu edhe nga Qeveria e cila nuk po u ofron mbështetje.

Ai foli për vështirësitë e mëdha që po has aktualisht sektori i bareve dhe restoranteve në vend, duke nisur nga njerëzit e papërgjegjshëm që shkelin protokollin e distancimit fizik, te rënia e klientelës. Ai madje shprehet se nuk ka të dhëna që baret apo klub-et janë vatër infeksioni:

“Virusi është me nesh, është agresiv dhe vepron pa e kuptuar, por në këtë situate ne kemi qenë më të penalizuarit qoftë nga klientela qoftë nga qeveria. Nuk ka të dhëna se infektimi i popullit vjen nga ne për këtë arsye nuk kuptojmë vendimin. Pas pandemisë po hasim vështirësi nga më të ndryshmet.  Mungesë të theksuar klientele, restorantet janë thjesht inekzistente, klientët nuk i frekuentojnë, panik në njerëz por edhe mosdistancim fizik nga klientela e papërgjeshme”.

Ndërkohë sot, policia e Tiranës njoftoi procedimin e 12 personave pas protestës së djeshme të artistëve para Kryeministrisë. Këta persona akuzohen për “Organizim dhe pjesëmarrje në tubime të paligjshme” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.